BotaLajme

Scholz, mesazh për Putinin: NATO është gati të mbrojë çdo centimetër të territorit të vet

“Aleanca është e gatshme të mbrojë çdo centimetër të territorit të vet, nëse do të jetë e nevojshme”.

Ky ishte mesazhi që kancelari gjerman Olaf Scholz u kujdes t’i përcillte Presidentit rus Vladimir Putin, në mesin e përshkallëzimit të retorikës për armatimet që Perëndimi po i siguron Kievit.

Ai theksoi se lëvizjet e fundit të NATO për të fuqizuar kahun lindor, synonin pëkërisht mbrojtjen nga Moska. Duke folur nga Forumi Ekonomik i Gjermanisë Lindore, ku ishte gjithashtu e pranishme kryeministrja lituaneze Ingrida Simonyte, Scholz tha se Gjermania kishte luajtur një rol kyç në praninë e aleancës ushtarake në Ballltik, pranë kufijve rusë, që shtrihej në gati një dekadë: “Dhe duke qenë se kërcënimet nga Rusia do të vazhdojnë, ne dhe aleatët e tjerë vendosëm vitin e kaluar të dërgojmë trupa shtesë në shtetet balltike dhe të stacionojmë atje një brigadë të terë në mënyrë të përhershme. Kjo kthesë e politikës së sigurisë është e nevojshme për t’i treguar Rusisë se ne jemi të përgatitur të mbrojmë çdo centimetër të territorit të NATO-s, kundër sulmeve”.

Sipas tij, diplomacia do të ishte e suksesshme vetëm nga një pozicion force, ndërsa shtoi se ishte jetësore që shtetet baltike të mbështeteshin plotësisht tek aleatët e NATO-s, për mbrojtjen e tyre në rastin e një sulmi rus. Presidenti Vladimir Putin paralajmëroi këtë javë anëtarët e NATO-s, të mos lejojnë Ukrainën të përdorë armët e tyre kundër Rusisë, pasi një sërë shtetesh perëndimore i hoqën kufizimet e vendosura ndaj armatimeve që i ofrojnë Kievit.

Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, i hodhi poshtë paralajmërimet duke thënë se aleanca i kishte dëgjuar disa herë ato dhe se vetëmbrojta nuk është përshkallëzim. Së fundmi, edhe Holanda siguroi Kievin se avionët 24 F-16 që ka ndërmend t’i dhurojë Ukrainës mund të përdoren për të goditur objektivë brenda Rusisë.

Show More

Related Articles

Back to top button