VMRO-DPMNE, VLEN dhe ZNAM, do ta formojnë qeverinë e re, thotë deputeti Halil Snopçe, duke paralajmëruar se kabineti i Hristijan Mickoskit do të merr miratimin e Kuvendit deri më 15 qershor.
Në një prononcim për gazetën LAJM, Snopçe bëri të ditur se gjatë negociatave të deritanishme, VLEN-i ka mbyllur marrëveshjen me VMRO-në për ministrat dhe është arritur dakordësi që në programin qeveritar të bëhet pjesë edhe program i partnerit shqiptar.
“Presidentja e shtetit, këto ditë i jep mandatin mandatarit z.Hristijan Mickoski, pra, kryetarit të partisë VMRO-DPMNE, partisë më të madhe me numër deputetësh dhe z.Mickoski ka të drejtë në afat prej 20 ditësh të propozojë programin qeveritar dhe kabinetin qeveritar. Por, nuk besoj se do të shfrytëzojmë gjithë këtë hapsirë kohore që do të ketë në disponim. Unë mendoj se afërsisht nga 15 qershori do të votohet qeveria e re”, tha Snopçe për gazetën LAJM.