Ish-kryeministri britanik, Tony Blair, iu drejtua të hënën deputetëve të Kuvendit të Kosovës, duke kujtuar, siç tha, “vendimin e vështirë për të ndërmarrë veprime për të ndalur luftën në Kosovë”, më 1999.
Blair, i cili po qëndron në Prishtinë në 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës, tha se vendimi i atëherëshëm për sulmet e NATO-s kundër caqeve ushtarake serbe, “kishte efekte më të gjera sesa vetëm çlirimi i popullit të Kosovës”.
“Nëse do të kishim lejuar që populli i Kosovës të brutalizohej edhe më tutje, që të drejtat t’i merreshin dhe që e ardhmja t’i vidhej, edhe e ardhmja jonë do të zbehej”, tha Blair.
Si kryeministër, ai ishte njëri nga njerëzit kyçë që vuri në lëvizje intervenimin e NATO-s në Kosovë, me qëllim ndaljen e dhunës nga forcat serbe.
Fushata e bombardimeve zgjati 78 ditë dhe përfundoi më 10 qershor, 1999 – një ditë pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës.
Me këtë marrëveshje, të negociuar ndërmjet NATO-s dhe zyrtarëve ushtarakë jugosllavë, forcat e atëhershme jugosllave u tërhoqën nga Kosova dhe u krijua forca paqeruajtëse ndërkombëtare, e udhëhequr nga NATO-ja.
Blair, përpara se t’i drejtohej Kuvendit, takoi edhe presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.
“Është një moment i emocionit të thellë që të jem sërish këtu”, tha ai.
“Unë kam besuar se [fushata e NATO-s] ka qenë gjëja e duhur për t’u bërë atëherë, dhe besoj edhe tani se ka qenë gjëja e duhur”, tha Blair në një konferencë për media bashkë Osmanin.
“Më 1999, roli juaj si kryeministër britanik ishte vendimtar. Sikurse atëherë që ishit hero i popullit të Kosovës, lirisë e demokracisë, edhe sot jeni hero i paqes”, tha Osmani duke iu drejtuar Blairit.
Kjo është vizita e tretë e Blairit në Kosovë që nga viti 1999.