Hapi i parë i qeverisë së ardhshme që ende nuk është e reformuar, është me ligjin për riorganizimin e drejtorive shtetërore duke e rritur numrin e ministrive nga 16 në 20.
Me këtë numër të ministrive Maqedonia bëhet shteti me më shumë ministri në rajon. Më pak ministri se RMV kanë shumë shtete në rajon. Sllovenia dhe Shqipëria kanë nga 16, Kosova 14 ndërsa Kroacia ka 11 ministri.
Presidentja Gordana Siljanovska e nënshkroi Ligjin për riorganizimin e ministrive, i cili u miratua në Kuvend të shtunën rreth orës tre të mëngjesit nga 88 deputetë.
“Ligji për riorganizimin dhe punën e organeve të drejtorisë shtetërore është ligj sistematik, përkatësisht sillet me shumicën e dy të tretave, dhe sipas nenit 75 nga Kushtetuta, presidenti nuk ka të drejtë që të vendosë veto për këtë ligj, përkatësisht ka për obligim që ta nënshkruajë dekretin”, thonë nga kabineti i presidentes Siljanovska Davkova.
Kryetari i LSDM-së në largim dhe deputet aktual, Dimitar Kovaçevski mbrëmjen kur u miratua ligji për riorganizimin e drejtorisë shtetërore, e kritikoi rritjen e numrit të ministrive, duke thënë se kjo do të sjellë implikime shtesë ndaj buxhetit.
“Premtimi parazgjedhor i OBRM-PDUKM-së dhe koalicionit ishte se do të ulet numri i ministrive ndërsa tani kemi propozim për rritjen e numrit të tyre. Me krijimin e 4 ministrive të reja, komplikohet mënyra e financimit të tyre, e bën më pak precize dhe e bazon në vlerësime të gabuara”, deklaroi Dimitar Kovaçevski.
Ndryshe, mandatari për qeverinë e re Hristijan Mickoski ka paralajmëruar se pas festës së Kurban Bajramit do të formohet qeveria e re./Telegrafi/