LajmeRajon

25 vjet nga fundi i Serbisë në Kosovë, vizita e ish-kryeministrit britanik, Tony Blair dhe deklaratat e tij

Kosova shënon 25-vjetorin e çlirimit nga Serbia, ku më 11 qershor 1999 forcat kriminale ushtarake e paramilitare serbe u larguan nga Kosova, duke shënuar kështu fundin e pushtimit serb.

Ushtria serbe u dorëzua nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare në tokë dhe bombardimeve të NATO-së që e detyruan të nënshkruajë marrëveshjen e kapitullimit më 9 qershor 1999 në Kumanovë.

Marrëveshja u nënshkrua nga Michael Jackson, komandanti i parë i KFOR-it në Kosovë, dhe ish-shefi i Shtabit të Armatës së Serbisë, gjenerali Nebojsha Pavkoviq, i akuzuari i Hagës për krime lufte dhe gjenocid në Kosovë.

Ndërkaq, në shënimin e 25-vjetorit të çlirimit i pranishëm të hënën në Kosovë ishte ish-kryeministri anglez, Tony Blair.

Tony Blair ka një rëndësi të veçantë për Kosovën, pasi ai ka qenë një nga mbështetësit kryesorë të vendit gjatë luftës së viteve 1998-1999.

Të hënën, ai është pritur nga liderët shtetërorë, ndërsa ka mbajtur edhe një fjalim para Kuvendit të Kosovës.

Ish-kryeministri britanik pas përfundimit të takimit me presidenten Vjosa Osmani, ka deklaruar se është rikthimi i tij në Kosovë është moment i emocioneve të thella.

“Dua t’i nderoj njerëzit e Kosovës për guximin dhe vendosmërinë e tyre në atë kohë para 25 vitesh dhe vendosmërinë e tyre të palëkundur që t’ia shohin të mirën çlirimit të para 25 viteve. Atëherë isha i bindur se ishte e gjëja e duhur për ta bërë dhe vazhdoj ta kem këtë bindje dhe tani jam i bindur që duhet të rrimë krahë njerëzve të Kosovës në mënyrë që e ardhmja e Kosovës të jetë në linjë me meritat e njerëzve të saj”, ka deklaruar Blair.

Ish-kryeministri britanik u shpreh se Kosova meriton të jetë në familjen e kombeve.

E presidentja e vendit, Vjosa Osmani i ka dhuruar një gur të kristalit mikut të Kosovës, Tony Blair.

Osmani përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka falënderuar familjen e presidentit Ibrahim Rugova, për përzgjedhjen dhe dhurimin e gurit.

“Një gur kristali për mikun e madh të Kosovës Tony Blair, për të vazhduar traditën e Presidentit Historik Dr. Ibrahim Rugova.

Faleminderit familjes Rugova për përzgjedhjen dhe dhurimin e gurit”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Ndërkaq, kryeministri i vendit, Albin Kurti theksoi se populli i Kosovës do ta kujtojë dhe do të jetë mirënjohës përherë për përkushtimin tuaj për drejtësi dhe paqe”, u shpreh kryeministri.

Gjatë ditës së hënë, Blair i është drejtuar edhe me një fjalim rasti deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

“Është nderë për mua të jem sot këtu dhe nuk mund t’ju falënderoj mjaftueshëm për mirëpritjen e ngrohtë. 25 vite më parë u arrit marrëveshja për çlirimin e territorit të Kosovës, dhe Kosova më fund ishte e lirë dhe populli ishin të lirë të jetojnë, shpresojnë e të besojnë sërish në një të ardhme të lirë. Takuam refugjatë kosovarë në kampet afër Shkupit, dëgjuam rrëfime të prekshme. Në fytyrat e tyre kërkohej ndihmë. Ne ndihmuam dhe nuk pendohem kurrë”, ka thënë Blair.

Blair u bëri thirrje vendeve që se kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës që ta bëjnë këtë. Ai theksoi se rinia është e ardhmja e Kosovës.

“E di që Kosova ende ballafaqohet me sfida, por rinia që keni e që është shumë e zgjuar është e ardhmja e Kosovës”, tha Blair.

Në përvjetorin e 25 të çlirimit të Kosovës, ish-kryeministri britanik, Tony Blair, u prit në takim edhe nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.

E me këtë rast, atij iu nda titulli “Çelësi i qytetit” dhe “Qytetar Nderi i Kryeqytetit”.

Ish-kryeministri britanik gjatë vizitës së tij në Kosovë ka takuar edhe liderët e partive politike në opozitë. /Telegrafi/

Show More

Related Articles

Back to top button