Izraeli dhe Kosova do të shënojnë edhe një hap tjetër të rëndësishëm në marrëdhëniet mes dy vendeve, duke nënshkruar marrëveshjen për hyrjen në fuqi të vendimit për heqjen e vizave për kosovarët.
Kështu është bërë e ditur në një njoftim nga ambasada e Izraelit në Prishtinë, ku është theksuar se ceremonia e nënshkrimit të kësaj marrëveshje do të bëhet sot në orën 18:00.
“Kemi kënaqësinë t’ju ftojmë në pritjen e nesërme të organizuar nga Shkëlqesia e Saj znj. Tamar Ziv, Ambasadore e Shtetit të Izraelit në Republikën e Kosovës, me ç’rast do ta shënojmë Ditën e Pavarësisë së Izraelit dhe Marrëveshjen për Heqjen e Vizave për shtetasit kosovarë”, thuhet në njoftim.
Ndryshe më 29 janar të këtij vitit, presidentja Vjosa Osmani kishte njoftuar se Izraeli është pajtuar për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës.
Osmani kishte bërë të ditur se ministritë përkatëse kishin nisur procedurat për formalizimin e marrëveshjes, dhe se qytetarët e Kosovës do të kenë mundësinë të udhëtojnë lirshëm në një nga destinacionet më të njohura turistike në rajon dhe më gjerë.
Ky vendim i Izraelit vjen pas njohjes së pavarësisë së Kosovës më 4 shtator 2020. /Telegrafi/