Ylli portugez Kristiano Ronaldo përballet me Kampionatin Evropian të tij të gjashtë radhazi, nga debutimi i tij më 2004 në vendin e tij deri në fazën finale të “Gjermani 2024”. Një udhëtim rekord që do ta zgjerojë nga kjo e martë, kur të nisë një aventurë të re kontinentale me të njëjtat ambicie si gjithmonë, si aspirant i padyshimtë për gjithçka.
– Ai ka luajtur 2033 minuta në pesë Kampionatet e tij Europiane deri më tani, që nga debutimi në këtë kompeticion më 12 qershor 2004 (20 vite më parë), me një humbje kundër Greqisë (2-1), kur hyri në fushë në pjesën e dytë. Pepe, bashkëlojtari i tij, e ndjek me 1710 minuta. I treti është Xhianluigi Bufon, ish-portieri imponues italian, me 1530 minuta.
– Kristiano Ronaldo, 39 vjeç, ka luajtur 25 ndeshje në fazat e fundit të Europianit; më shumë se çdo tjetër gjatë historisë, i ndjekur nga dy bashkatdhetarët e tij: Pepe, gjithashtu i pranishëm në “Gjermani 2024”, dhe Zhoao Moutinjo, me nga 19 duele secili. I katërti është gjermani Bastian Shveinshteiger, me 18 ndeshje, po aq sa edhe italiani Leonardo Bonuçi.
– CR7 ka dhënë 23 starte në Europian, megjithëse ndeshja e tij e parë, në moshën 19-vjeçare, ishte si zëvendësues në skuadrën e drejtuar nga Luiz Felipe Skolari, i cili iu drejtua atij për ta kapërcyer disavantazhin e përkohshëm 1-0 ndaj Greqisë. Nuk mjaftoi prania e Ronaldos, edhe pse golin e vetëm portugez e shënoi ai, nga pasimi i Luis Figos. Bashkëkombasi i tij Pepe është gjithashtu i dyti me më shumë starte (19). Podiumin e plotësojnë tre italianë:Xhianluigi Bufon, Xhiorxhio Kiellini dhe Bonuçi, me nga 17 ndeshje.
– Kristiano Ronaldo ka shënuar 14 gola në ndeshjet e tij në Europian, nga i pari kundër Greqisë, në ditën e sipërpërmendur të debutimit, deri në dy të fundit kundër Francës në fazën e grupeve të edicionit të fundit, në vitin 2021. Më parë, Cristiano kishte shënuar pesë gola në tre ndeshje.
– 10 ndeshje të ndryshme i kanë prodhuar 14 golat e tij në turneun kontinental, të ndarë në pesë edicione: dy gola më 2004 (kundër Greqisë dhe Holandës); një më 2008 (ndaj Republikës Çeke); tre në vitin 2012 (dy ndaj Holandës dhe një ndaj Republikës Çeke); tre në vitin 2016, kur u bë kampion i Europës (dy ndaj Hungarisë dhe një ndaj Uellsit); dhe pesë më 2021 (dy ndaj Hungarisë, një ndaj Gjermanisë dhe dy ndaj Francës).
– Kristiano Ronaldo ka realizuar 4 dopieta në Europian, më shumë se nga dy dopieta të gjermanëve Gerd Müller dhe Rudi Völler, belgut Romelu Lukaku dhe francezëve Karim Benzema e Antoine Griezmann. Ylli portugez i arriti ato në 2-2 me Francën më 23 qershor 2021, në 0-3 kundër Hungarisë më 15 qershor 2021, në 3-3 me Hungarinë më 22 qershor 2016 dhe në 2-1 me Holandën, më 17 qershor 2012.
– 20 gola i kanë llogaritur si element thelbësor, 14 i ka shënuar, por edhe 6 në të cilët ka dhënë pasimin vendimtar, në 25 ndeshje. Legjendari Michel Platini kontribuoi me 10 gola për kombëtaren franceze në vetëm 5 ndeshje. Vendin e tretë e ndajnë Antoine Griezmann dhe gjermani Jurgen Klinsmann, me nga 9 gola respektivisht në 11 dhe 13 ndeshje.