Nëse mund Spanjën që ka siguruar vendin e parë me 2 fitore, Shqipëria shkon në kuotën e 4 pikëve dhe kështu ka shumë mundësi ta vazhdojë më tej aventurën gjermane, të paktën si një prej katër skuadrave të treta më të mira. Do të ishte një arritje historike për Shqipërinë, nëse do të kalonte grupin në pjesëmarrjen e saj të dytë në Europian.
Aq më tepër duke ditur se çfarë rivalësh kanë kuqezinjtë në grupin e tyre në “Euro 2024”, Spanjën dhe Italinë kampione Europe dhe Bote, apo dhe Kroacinë që ka shkruar historinë vitet e fundit. Por një fitore e mundshme sot kundër Spanjës mund ta çojë edhe në vend të 2-të kombëtaren e Shqipërisë, në varësi të rezultatit të ndeshjes tjetër të grupit mes Italisë dhe Kroacisë, që gjithashtu janë në lojë për kualifikimin. “Kuqezinjtë” mbajnë vendin e tretë në grup aktualisht, me 1 pikë dhe falë golaverazhit më të mirë se Kroacia e vendit të fundit.
Sipas ekspertëve të statistikave, me situatën aktuale të grupeve 4 pikë janë të mjaftueshme për të vazhduar më tej, sidomos kur nuk ke golaverazh negativ. Ka edhe një variant, që e kualifikon Shqipërinë edhe me një barazim ndaj Spanjës. Nëse kuqezinjtë marrin 1 pikë ndaj iberikëve dhe Kroacia nuk fiton kundër Italisë, kombëtarja kuqezi do të zinte vendin e tretë në grup me golaverazh më të mirë sesa Kroacia. Në këtë rast kualifikimi do të varej nga rezultatet e grupeve A, C dhe F, ku duhet të plotësohen skenarë të veçantë në të paktën dy prej tyre për të bërë ëndrrën kuqezi realitet. Në Grupin A, duhej që ndeshja mes Skocisë dhe Hungarisë të mbyllej në barazim, por fitoi Hungaria.
Në Grupin C duhet që Anglia të mundë Slloveninë dhe ndeshja Danimarkë-Serbi të mos mbyllet në barazim, ndërsa në Grupin F duhet që Çekia dhe Gjeorgjia të mos fitojnë ndeshjet përkatëse.
Përtej këtyre kombinimeve, duhet që Shqipëria të ketë golaverazh më të mirë sesa skuadra që del e treta në të paktën 2 nga këto 3 grupe.