LajmeMaqedoni

“Të mos kontribuohet në largimin e mjekëve”

Maqedonia e Veriut, Kosova, Mali i Zi dhe Lugina e Preshevës të mos stimulojnë largimin e mjekëve në shtetet e Unionit Evropian, duke i mbajtur me paga të ulëta, mosdhënien e mundësisë për të specializuar dhe kushte joadekuate për punë nëpër institucionet shëndetësore. Situata me braktisjen e vendlindjes nga ana e mjekëve por edhe infermiereve është shqetësuese prandaj duhet të gjenden masa për stimulimin e tyre që të mbeten në vendlindje. Kjo mes tjerësh u theksua në takimin të gjeneratës së 14 të mjekëve që kanë përfunduar studimet për mjekë pranë fakultetit të Medicinës në Universitetin e Prishtinës që u mbajt në Dibër.

Koordinatori i këtij takimi dibrani dr. Spec. Ylber Kokale, për gazetën Koha, tha se nga dita në ditë jo vetëm në Dibër por edhe në qytetet të tjera në trevat shqiptare, ka mungesë të mjekëve dhe personalitetit tjetër shëndetësor. Mungojnë sidomos mjekët specialist por edhe mjekët amë. Kjo situatë duhet të parandalohet duke marrë masa urgjente nga ana e ministrive për shëndetësi. Këta takime janë shumë të nevojshme për të takuar me kolegët, por edhe për të dhënë vlerësime rreth situatës në sferën e shëndetësisë.

Dr. Spec. Baki Alili i cili shumë vite ishte njeri i parë i Spitalit të Dibrës, tha se problemi është shumë i madh dhe se braktisja e mjekëve spitalet tona është një dëm i madh për popullatën. Kompetentët duhet të mendojnë edhe për zgjatjen e viteve të pensionimit për mjekët specialist.

“Spitalet kanë ngelur pa mjekë specialist. Kështu është në Dibër dhe në shumë spitale të tjerë në vend”, thotë Dr. Alili. Situata është po e njëjtë edhe në Kosovë por edhe në Luginën e Preshevës, thonë mjekët specialistë të pranishëm në këtë takim jubilar.

“Ky takim është në Dibrën e Madhe dhe legjendare. Është kënaqësi të takosh kolegët me të cilët ke diplomuar para 40 viteve. Është takim me shumë emocione. Gëzohem që biseduam që takimet të jenë tradicionale. Shkëmbyem edhe mendime për zhvillimet në mjekësinë mbarshqiptare”, na tha mjeku spec. Edmond Nushi i cili jeton dhe punon si mjek specialist në Finlandë.

Nga Austria ku jeton dhe punon në takimin ishte e pranishme edhe mjekja e njohur Burbuqe Shkupi. “Janë takime me plot emocione por edhe takime për të trajtuar tema mjekësore”, thotë ajo.

Nga SHBA-ja në këtë takim të mjekëve ishte edhe dr. Spec. Qeram Paçuku. Janë këta takime me shumë vlera, duke filluar nga kthimi i kujtesës për vitet e studimeve por edhe për miqësinë që kemi me kolegët dhe koleget. Jetojmë në SHBA, por mendimet i kemi në vendlindje, tha dr. Paçuku. Me plot emocione për takimin foli për gazetën Koha, edhe mjeku spec.

Sami Rexhepi nga Prishtina, i cili tha se problemi i braktisjes të mjekëve edhe nga Kosova është i madh, me që ata për paga shumë më të larta punojnë në Gjermani, Austri , Zvicër dhe shtete të tjera. Mjeku Abdulla Abduahu nga Bujavci potencoi se shëndetësia kërkon përkrahje me te madhe, kurse dr. Spec. Ibraim Ramadani nga Kërçuva tha se takimet të mjekëve nga Universiteti i Prishtinës i kanë dhënë shumë shëndetësisë në mbarë trojet shqiptare. “Kemi edhe shumë kolegë që sot janë mjekë të njohur në Qendrat botërore, e kjo tregon vlerat e Universitetit të Mjekësisë të Kosovës”, tha ai.

Show More

Related Articles

Back to top button