Sot në Bruksel do të jetë takimi i radhës ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq
Bashkimi Evropian tashmë ka publikuar agjendën, ku përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme i BE-së, Josep Borrell dhe i dërguari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak fillimisht do të zhvillojnë takime ndaras me liderët dhe më pas do të ketë takim trepalësh.
“Përfaqësuesi i Lartë dhe Përfaqësuesi Special i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak do të zhvillojnë takime të ndara me liderët nga ora 15:00, pasuar më pas nga një takim i përbashkët trepalësh. Takimet do të analizojnë atë që është arritur në dialog nën udhëheqjen e Përfaqësuesit të Lartë dhe do të fokusohen në rrugën përpara”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Borrellit.
Po ashtu është bërë e ditur se para dhe pas takimit do të ketë deklaratë nga Përfaqësuesi i Lartë, Josep Borrell.
Për këtë raund të takimit javën e kaluar ishte për vizitë në Kosovë e Serbi, Miroslav Lajçak.
Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha të martën se takimi me presidentin serb do të jetë në funksion të rikapitulimit të procesit të dialogut.
“Të shohim se në çfarë gjendje ndodhemi dhe cilat janë idetë se si mund të ecët para. Për bindjen time, Marrëveshja Bazike me Aneksin e Ohrit e bën normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë me njohje së paku de-facto në qendër”, ka thënë Kurti, transmeton Telegrafi.
Tutje, Kurti u shpreh i bindur se marrëveshja bazike e 27 shkurtit të vitit të kaluar me aneksin e zbatimit nga Ohri “është zgjidhja evropiane e fqinjësisë së mirë, e cila nuk është realizuar”.
Për herë të fundit, Kurti dhe Vuçiq u takuan në Bruksel më 14 shtator të vitit 2023, kur diskutuan për zbatimin e Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit të raporteve, por ky takim rezultoi pa ndonjë përparim, për shkak të qëndrimeve kontradiktore të palëve.
Disa ditë më vonë, më 24 shtator 2023, një grup i serbëve të armatosur sulmuan policinë e Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit – në veri të Kosovës – duke vrarë një polic. Gjatë përleshjeve që pasuan u vranë edhe tre sulmues serbë.