BotaLajme

Iranianët votojnë për president të ri

Qytetarët iranianë kanë filluar votimin të premten herët në zgjedhjet e parakohshme presidenciale, në të cilat katër kandidatë garojnë për ta zëvendësuar të ndjerin Ebrahim Raisi, i cili humbi jetën nga rrëzimi i helikopterit para më shumë së një muaji.

Kandidatët, përfshirë një reformist të vetëm, janë përzgjedhur nga pushteti politik i republikës islamike.

Fituesi mund të luajë rol kyç në zgjedhjen e pasuesit të liderit suprem në moshë të shkuar, Ayatollah Ali Khamenei, në një kohë kur zemërimi është i madh në Iran për shkak të mungesës së lirisë, kushteve të këqija të jetës dhe ekonomisë së dobët.

Analistët e kanë cilësuar këtë si një garë mes tre kandidatëve. Dy konservatorë të krahut të ashpër, ish-negociatori për çështje bërthamore Saeed Jalili, dhe kryetari i Parlamentit, Mohammad Bagher Qalibaf. Si dhe reformisti Masoud Pezeshkian, i cili është rreshtuar përkrah atyre që kërkojnë kthimin e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 më fuqitë botërore.

Zgjedhjet në republikën islamike janë të kontrolluara, pasi kandidatët përzgjidhen paraprakisht nga një trup i pazgjedhur, i cili është i mbizotëruar nga konservatorët e krahut të ashpër.

Sipas vëzhguesve, mungesa e një gare relativisht konkurruese do ta dëmtojë edhe pjesëmarrjen e votuesve në zgjedhje.

Në tri palë zgjedhjet e fundit të mëdha në Iran – vend me rreth 88 milionë banorë – kishte pjesëmarrje rekorde të ulët.

Pjesëmarrja zyrtare në zgjedhjet parlamentare të marsit ishte rreth 41 për qind, megjithëse kritikët thanë se numri real ishte edhe më i ulët.

Ekspertët thonë se rënia e pjesëmarrjes nënkupton hendek në rritje midis klerikëve në pushtet dhe popullsisë së re të Iranit – pjesa më e madhe e së cilës kërkon liri më të mëdha sociale dhe politike.

“Unë dyshoj se shoqëria do të kthehet në kutitë e votimit. Besoj se trendi i shmangies së tyre do të vazhdojë”, thotë për Radion Evropa e Lirë Mohammad Mohebi, komentues politik me bazë në Iran.

Show More

Related Articles

Back to top button