Bashkimi Evropian është kundër paralajmërimit të Qeverisë për shpërndarjen e tërësishme të Këshillit Gjyqësor dhe atij të Prokurorëve. Ambasadori i BE-së në Shkup, Dejvid Gir në konferencën për zbatimin e rekomandimeve të Misionit Vlerësues nga ana e Këshillit Gjyqësor, porositi qeverinë se shpërndarja, do të nënkuptonte përzierje e pushtetit ekzekutiv në atë gjyqësor. Ambasadori rekomandon që të mos ndërmerren hapa të tillë pasi që nuk janë dëshmuar si efektive.
“Përforcimi i sundimit të ligjit nuk duhet që të ndërmerret në mënyrë që do t’i shkelë parimet e ndarjes së pushteteve. Për shembull, shkarkimi i Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit të Prokurorëve Publik, thënë hapur, do të paraqiste përzierje në pavarësinë e gjyqësorit dhe me këtë edhe shqetësim serioz”, tha David Geer, ambasadori i BE-së në Shkup.
Kundër idesë së shpërndarjes është edhe vetë Këshilli Gjyqësor. Kryetarja Vesna Dameva, thotë se megjithatë, përgjegjësia duhet të jetë individuale dhe jo kolektive.
“Si jurist, para se gjithash nuk e mbështes tezën për përgjegjësi kolektive. Megjithatë, qëndrimi im personal është që të duhet të ketë përgjegjësi individuale dhe ajo përgjegjësi individuale të detektohet saktë, dhe sanksionohet. Këtë e kam thënë disa herë, dhe e përsëris, çdo përgjegjësi ka emër dhe mbiemër, le të detektohet dhe çdokush të bartë sanksion individual, nëse diçka ka bërë të paligjshme, e ka rrënuar reputacionin apo integritetin e Këshillit Gjyqësor, ka miratuar vendim në bazë të emocioneve të ndryshme dhe ngjashëm”, u shpreh Vesna Dameva, kryetare e Këshillit Gjyqësor.
Nga Shoqata e Gjyqtarëve, porosisin Qeverinë që para se të bëhen reforma të tilla, duhet të konsultohen përfaqësuesit e pushtetit gjyqësor.
“Apeloj që çdokush të mbahet në kompetencat e veta. Është e saktë se pushteti ekzekutiv ka kompetencë që të propozojë dhe përgatisë reforma jo vetëm në sistemin gjyqësor, por edhe në arsim dhe shëndetësi, megjithatë jo pa u konsultuar me pushtetin gjyqësor”, tha Ivan Xholev, kryetar i Shoqatës së Gjyqtarëve.
Kryeministri Hristijan Mickoski, në disa dalje, por edhe në programin qeveritar, premton se duhet të shpërndahet Këshilli Gjyqësor dhe ai i Prokurorëve pasi kanë humbur besueshmërinë te qytetarët. Në program, shkruan se Qeveria do të iniciojë edhe ndryshime të Kushtetutës në pjesën e rregullimit të përbërjes së këshillave, gjatë së cilës do të kërkohet që anëtarët të zgjedhën nga radhët e gjykatësve dhe prokurorëve.
Kjo ide, ka hasur edhe në kundërshtimin e ekspertëve, të cilët gjithashtu kërkojnë të mos ketë ndërhyrje të ekzekutivit në gjyqësor./ Alsat.mk