Takimi trepalësh në Bruksel mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e përfaqësuesit të posaçëm të BE-së, Mirosllav Lajçak, përfundoi pa ndonjë marrëveshje. “Kemi diskutuar për një gamë të gjerë çështjesh dhe kemi rënë dakord për një sërë hapash në vazhdim”, shkroi Lajçak në X. Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, e akuzoi palën serbe se dëshiron vetëm zbatimin e pjesshëm të Marrëveshjes Bazë, ndërsa kryenegociatori serb, Petar Petkoviq, e kritikoi palën kosovare se nuk dëshiron ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
“Pika e vetme e agjendës në të cilën ne duhej të shënonin përparim ishte diskutimi i finalizimit të planit të sekuencimit. Megjithatë nga pala serbe u bë e qartë prej fillimit se ata duan të zbatojnë vetëm pjesë të Marrëveshjes Bazë, që janë në harmoni me vijat e tyre të kuqe. Ne nuk i kemi parë kurrë ato vija të kuqe”, tha Besnik Bislimi, kryenegociator i Kosovës.
Bislimi tha se gjatë periudhës së verës nuk do të ketë më takime në Bruksel. Ai bëri të ditur se deri më 18 korrik palët do të dërgojnë komentet e tyre lidhur me planin e zbatimit të Marrëveshjes. Pas këtyre komenteve, sipas tij, pala evropiane do ta nxjerrë një propozim të ri për zbatimin e Marrëveshjes Bazë. Petkoviq, ndërkohë, i cilësoi takimet si “të vështira”, dhe shtoi se ai nguli këmbë në themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Një nga çështjet kyçe është pranimi i draftit të Asociacionit, të përgatitur nga BE-ja. Beogradi është gati ta pranojë atë. Drafti është vendimtar dhe është hapi kryesor në drejtim të themelimit të Asociacionit”, u shpreh Petar Petkoviq, kryenegociator i Serbisë.
Lajçaku zhvilloi takime të ndara dypalëshe me Petkoviqin dhe Bislimin fillimisht, para se t’i takonte ata në një takim trepalësh në fund. Takimet e së martës në përgjithësi zgjatën rreth 6 orë. Marrëveshja për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë u arrit në fillim të vitit 2023, por nuk u zbatua. Ajo, mes tjerash, i kërkon Kosovës t’i ofrojë një nivel vetëmenaxhimi komunitetit serb, ndërsa Serbisë të mos e pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Për zbatimin e saj, javën e kaluar në Bruksel u thirrën edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është kusht për të dyja që të avancojnë në rrugën e integrimit evropian. /Alsat.mk