Shkak është bërë gjesti i tij, pasi shënoi golin e dytë në Austri-Turqi 2-1, këtë të martë. Qendërmbrojtësi turk u konsiderua hero, sepse shënoi dopietë dhe kualifikoi ekipin e tij në çerekfinale të Europianit, ku do të përballet me Holandën për një vend në gjysmëfinale.
Mbrojtësi i Al Ahli ishte ylli i ndeshjes, por u “fut në rreth” më shumë për gjestin e tij, që ndezi polemika. Turku bëri një gjest me dy duar të ngjashme me kokën e ujkut, shenjë shumë përfaqësuese e lëvizjes “Ulkucu”, e njohur edhe si “Ujqërit Gri”. Ato janë një organizatë turke terroriste, ultranacionaliste, neofashiste dhe islamiste.
Sipas Zyrës Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës, ata kanë më shumë se 12.000 anëtarë në Gjermani. “Ujku gri” do të thotë “prejardhje dhe fuqi”. Ujku ka një rëndësi të veçantë për ekstremistët e djathtë turq dhe shpesh përfaqësohet në mënyrë simbolike. Shfaqja e “përshëndetjes së ujkut” mund të interpretohet si angazhim ndaj ideologjisë “Ulkucu”.
Për këtë arsye, inspektori i Etikës dhe Disiplinës së UEFA-s ka hapur një hetim në përputhje me nenin 31 të Rregullores Disiplinore për “sjellje të dyshuar të papërshtatshme” të mbrojtësit turk. “Më shumë informacion mbi këtë çështje do të jepet në kohën e duhur”, – thuhet në deklaratën e UEFA-s. Ndeshja e radhës e Turqisë do të jetë këtë të shtunë kundër Holandës, në çerekfinale të Europianit.