LajmeMaqedoni

Sa shumë fjalë, e sa pak rezultate!

Gjithë ato fjalë, andej e këndej! Gjithë ato emra e arsye të përmendura për me gjetur fajtorët e situatës së krijuar.

Shpesh vetëm me qëllimin për me e treguar ndoshta “superioritetin intelektual” ose me lavdëruar veten, e rrallëherë për me i objektivizuar gjërat.

Gjithë ato thënie nga njëri, e pastaj nga tjetri! Gjithë ato ambicie për me bindur dikë se në cilën anë shtrihet drejtësia.

Përmenden sidomos dobësitë dhe disfatat e të tjerëve. Sa shpejtë po kritikohet puna e atij tjetrit, e atij që dikujt i pengon apo nuk i konvenon.

Akoma më shpejt kritikuesi e vlerëson dhe e mbivlerëson ekskluzivisht punën e vetë. Një “vlerë” kjo e pastër e një cinizmi dhe egoizmi politik!

“Sa të këqij janë këto të tjetër, e sa të mirë jemi ne”, thotë citati i ditës.

Një rreth i pafund vicioz.

Gjithë ato premtime se punët do të ecin mirë. Gjithë ato premtime reformash e ndërrime postesh.

Kujt me i besuar?

E kishte shumë më lehtë vizioni i shprehur para disa dekadave, asaj kohe kur i besohej gati edhe “çdo gjëje që fluturonte”!

Sot, gjërat kanë ndryshuar. Vallë, akoma nuk është kuptuar kjo !?

Sa lartë është ngritur shkalla e kritikës vend e pa vend, e injorancës, e mos respektit ndaj njëri tjetrit.

Sa poshtë është ulur vlera e dinjitetit njerëzor, e etikës, e moralit profesionalë dhe shumë vlera të tjera që e karakterizojnë një shoqëri të shëndosh demokratike.

Gjithë ajo vlerë që i jepet ushtarit të përbetuar partiak, e sa pak atij të mirëfilltë intelektual.

E ndërkohë, problemet mbeten akoma aty ku kanë qenë dhe ku janë.

Kurse – në këtë vrullë të shprehjeve të “mençurive politike” – autobusët e “migrimit’ mbushen e stërmbushen.

Për me ikur pra nga këto ambiente zhgënjimi, nga këto kohëra të turbullta, nga vendi i shpresës së humbur, për me e kërkuar atë diku jasht, në vendin e huaj.

Ikën rinia, e shoqëruar edhe me ikjen e shpresave dhe zbehjen e perspektivave në këto horizontet e shoqërisë sonë.

Kështu duken disa realitete aktuale në këtë politikbërjen e Maqedonisë së Veriut. Fatkeqësisht !

Show More

Related Articles

Back to top button