LajmeMaqedoni

KE: RMV-ja zbatoi reforma për pavarësinë e gjyqësorit, por mbetet shqetësimi për mbrojtjen e tij nga ndikimi

Maqedonia e Veriut zbatoi disa valë të reformave në gjyqësor dhe miratoi strategji të re për gjyqësinë me qëllim që të përmirësohet pavarësia, efikasiteti dhe profesionalizmi i sistemit gjyqësor, por megjithatë pavarësia e gjyqësorit dhe kapaciteti institucional për mbrojtje të tij nga ndikimi joadekuat përfaqësojnë shqetësim serioz, bëhet e ditur në Raportin vjetor për sundimin e drejtësisë në BE për vitin 2024, të përgatitur nga Komisioni Evropian, në të cilin për herë të parë janë përfshirë edhe shtetet e përfshira me procesin e zgjerimit – Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Mali i Zi dhe Serbia.

“Niveli i pavarësisë së përcaktuar në gjyqësor është shumë i ulët. Shqetësimi mbetet edhe në lidhje me funksionimin dhe pavarësinë e Këshillit Gjyqësor, edhe pse janë ndërmarrë hapa në këtë kuptim. Vendimet për emërimin e prokurorëve publikë dhe gjykatësve ishin kritikuar nga shoqëria civile se nuk janë të motivuara në mënyrë gjithpërfshirëse ose të bazuara në kritere objektive”, bëhet e ditur në Raport.

Sipas KE-së, janë ndërmarrë masa për përmirësimin e transparencës, veçanërisht nën patronazhin e kryetarëve të Gjykatës Supreme dhe të Këshillit Gjyqësor dhe janë vendosur kode etike edhe për prokurorët dhe gjykatësit.

“Mjetet e kufizuara financiare të ndara për gjyqësor mund të ndikojnë në autonominë e tyre financiare, ndërsa deficiti i resurseve njerëzore mund të ndikojë në cilësinë dhe efikasitetin e drejtësisë. Zhvillohen mjete digjitale për menaxhim me rastet. Efikasiteti i gjyqësorit është ulur për lëndët civile, tregtare dhe penale të shkallës së parë, përderisa ai mbeti i qëndrueshëm për lëndët e shkallës së dytë”, shtohet në tekst.

Siç informon MIA, në raport theksohet se është vendosur strategji kombëtare gjithpërfshirëse antikorruptuese, por se ka ngecje në zbatimin e saj.

“Rreziku i lartë nga korrupsioni mbetet i përhapur në shumë fusha. Ndryshimet e fundit në Kodin Penal kanë dobësuar kornizën ligjore, duke ndikuar negativisht në përballjen me korrupsionin, veçanërisht në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë. Kufizimet e burimeve dhe mungesa e bashkëpunimit ndërmjet autoriteteve kombëtare pengojnë përballjen efikase me korrupsionin dhe parandalojnë krijimin e një rekordi të qëndrueshëm të rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë”, vlerëson Komisioni Evropian, duke theksuar se Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit ka vazhduar me përpjekjet për të përmbushur mandatin e tij pavarësisht burimeve të kufizuara.

Raporti thekson se megjithëse ekziston një kuadër ligjor dhe regjistra për lobim, ende nuk ka lobistë të regjistruar, si dhe se ka “disa boshllëqe” në lidhje me financimin e partive politike dhe se Ligji për Mbrojtjen e sinjalizuesve është përditësuar.

“Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele përmbush detyrat e saj, por pavarësia e saj financiare dhe institucionale mbetet për t’u forcuar më tej. Këshilli për Etikën në media vazhdon të jetë nën presion. Mbeten sfidat në lidhje me transparencën e pronësisë së mediave dhe shqetësimet për disa elementë të rikthimit të reklamave të financuara nga shteti”, thuhet në Raport.

Komisioni Evropian thekson se shërbimi i transmetimit publik përballet me sfida dhe se pavarësisht se Agjencia për Mbrojtjen e qasjes së lirë në informacionet me karakter publik ofron qasje në to, pavarësisht se ka burime të kufizuara, ka ende shqetësime për mohimet dhe vonesat e një qasje të tillë në informacione.

“Masat ligjore forcuan garancitë ligjore për mbrojtjen e gazetarëve, por megjithatë janë vërejtur kërcënimet dhe aktet e dhunës ndaj gazetarëve”, theksohet në raportin.

Sipas KE-së, polarizimi politik në parlamentin e RMV-së shkaktoi vonesa në miratimin e ligjeve, duke çuar në “përdorim të tepruar dhe ndonjëherë të papërshtatshëm të procedurave të përshpejtuara legjislative”.

“Mbeten mangësi në zbatimin e proceseve për politikëbërje gjithëpërfshirëse bazuar në dëshmi. Zyra e Avokatit të Popullit ka mungesë të burimeve, ndërsa sfidat për ndjekjen sistematike të gjetjeve dhe rekomandimeve të saj mbeten. Organizatat civile punojnë në një mjedis të përgjithshëm adekuat, por mbeten sfidat për të siguruar angazhim të qëndrueshëm në politikëbërje, përfundohet në pjesën e Raportit vjetor për Sundimin e Ligjit në BE për vitin 2024 kushtuar vendit.

 

Show More

Related Articles

Back to top button