BotaLajme

Iraku akuzon Turqinë për sulmin ku mbetën të vrarë nëntë turistë në rajonin e Kurdistanit

Një grindje diplomatike ka shpërthyer midis Irakut dhe Turqisë pasi nëntë civilë u vranë kur predha artilerie goditën një park në rajonin Kurdistan të Irakut.

Shumica e viktimave ishin turistë irakianë gjersa kishte edhe fëmijë në mesin e të vdekurve. Të paktën 23 persona u plagosën.

Zyrtarët lokalë fajësuan forcat turke dhe Iraku po tërheq të ngarkuarin me punë nga Ankaraja, raporton bbc.

Turqia po sugjeron se forcat që i përkasin Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) kryen sulmin, transmeton Telegrafi.

“Bombardimi i ashpër i artilerisë” goditi një park në Zakho, një qytet në kufirin midis rajonit të Kurdistanit të Irakut dhe Turqisë”, njoftoi televizioni shtetëror i Irakut.

Iraku ka ftuar ambasadorin turk në Bagdad që të kërkojë falje ndërsa ka tërhequr të ngarkuarin me punë nga kryeqyteti turk.

“Forcat turke kryen shkelje të hapur të sovranitetit të Irakut”, shkroi në Twitter kryeministri irakian Mustafa al-Kadhimi.

Flamuri turk u dogj nga protestuesit jashtë një qendre turke për viza në qytetin irakian të Qerbelasë, ndërsa demonstrata u zhvilluan edhe në Bagdad dhe Nassiriyah.

Shtetet e Bashkuara dënuan granatimet. “Vrasja e civilëve është e papranueshme dhe të gjitha shtetet duhet të respektojnë detyrimet e tyre sipas ligjit ndërkombëtar, duke përfshirë mbrojtjen e civilëve”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Ned Price.

Turqia ka rinis një nga ofensivat e saja periodike kundër luftëtarëve kurdë, të cilët kanë baza në rajon.

Por ministria e jashtme e Turqisë tha se sulmet e së mërkurës u kryen nga “organizata terroriste”. Ai tha se qeveria irakiane nuk duhet të ndikohet nga “propaganda terroriste”, në lidhje me PKK-në.

PKK bën thirrje për një vetëqeverisje më të madhe kurde dhe është e përfshirë në një luftë të armatosur me shtetin turk. Organizata konsiderohet si një grup terrorist nga BE-ja, SHBA-ja dhe Britania e Madhe.

Ndryshe, kurdët përbëjnë 15-20 për qind të popullsisë së Turqisë ndërsa qeveria në Ankara po përpiqet të ndalojë partinë pro-kurde HDP, e treta më e madhe në parlament. /Telegrafi/

Show More

Related Articles

Back to top button