LajmeMaqedoni

Incidenti me presidenten Osmani, reagon Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përjetuar një incident të papritur në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, ku sigurimi i këtij aeroporti tentoi të merrte telefonin personal të saj.

Këshilltari për media i presidentes, Bekim Kupina, e ka cilësuar këtë veprim si një shkelje të praktikave ndërkombëtare.

Kupina tregoi për Telegrafin se veprimet e zyrtarit të sigurimit dukeshin se kishin për qëllim të provokonin delegacionin e Kosovës dhe të shkaktonin ndonjë incident.

Ai shtoi se presidentja nuk e lejoi një gjë të tillë, pasi do të kishte qenë një shkelje e rëndë e protokollit.

“Ekipi i presidentes i shpjegoi rregullat zyrtarit të aeroportit, por ai tentoi fizikisht ta shtyjë presidenten, çka detyroi Policinë e Kosovës të ndërhyjë për ta hapur rrugën. Kjo sjellje është në kundërshtim me çdo praktikë ndërkombëtare, sipas të cilave krerët e shtetit mbrohen me privilegje e imunitete diplomatike,” tha Kupina.

Ndërkaq, lidhur me këtë ka reaguar Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës me shqetësim ka mësuar  rreth incidentit të shkaktuar në Aeroportin e Shkupit në raport me trajtimin jodinjitoz të Presidentes së Republikës së Kosovës, Dr. Vjosa Osmani”, thuhet në reagim.

MPJD tutje njofton se përmes Ambasadës së Kosovës në Shkup, ka nisur mbledhjen e informatave dhe që në orët e hershme të mbrëmjes ka kërkuar sqarime zyrtare nga ambasada e Maqedonisë së Veriut në Prishtinë dhe nga Ministria e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut.

“MPJD do të mbajë publikun të informuar për veprimet e mëtejshme, për të sqaruar këtë situatë dhe për t’u siguruar që incidente të tilla të mos ndodhin në të ardhmen në raport me krerët e shtetit tonë”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/

 

Show More

Related Articles

Back to top button