Dani Alves shpërtheu sërish rrjetet sociale dhe mbushi me spekulime ndjekësit e Pumas dhe Liga MX, pasi përmes llogarive të tij në Twitter dhe Instagram, braziliani ndau dy foto që e lidhin atë me kulturën meksikane.
Me synimin për të gjeneruar pritshmëri, fillimisht e krahasoi partneren e tij Joana Sanz me artisten Frida Kahlo. Më vonë postoi një video në Instagram ku kujtonte ditën kur vendosi një kapelë ‘mariachi’ dhe këndoi me grupin meksikan. Një përshkrim që emocionoi ndjekësit e tij: “Jeta dërgon gjithmonë shenja, duhet të jemi përherë të vëmendshëm ndaj kësaj!!! Viva México bastards!”
Pas këtyre “shenjave”, siç e cilësoi vetë futbollisti, doli informacioni për marrëveshjen thuajse të kryer mes Pumas dhe Dani Alves. Sipas ESPN, Pumas do t’i kishte përshpejtuar negociatat me anësorin brazilian deri në atë masë sa e konsideron ardhjen e tij “shumë të avancuar” dhe raportuan ditën që mund të zyrtarizohej.
Në rast se Dani Alves do të jepte “po” përfundimtare dhe të hidhte firmën e tij në kontratë, mbrojtësi i djathtë do të zbarkonte në Meksikë jo më vonë se të hënën e 25 korrikut, me qëllim që të mbërrijë në ambientet e grupit auriazul këtë fundjavë, në kryeqytetin e vendit.
Ish-lojtari i Barcelonës, Paris Saint Germain dhe Juventus mund të prezantohet me uniformën auriazule midis të hënës dhe të mërkurës, me qëllim që të jetë në dispozicion të Andrés Lillini në datën 6 gusht, kur Pumas pret Monterrey.
Siç është zakon, lojtari 39-vjeçar do të duhet të kalojë më parë testet fizike përkatëse dhe të nënshkruajë të gjitha dokumentet, që tashmë janë duke u përpunuar, përveçse të kërkojë vizën e punës nga ambasada për t’u regjistruar në futbollin meksikan.
Sipas informacioneve të publikuara nga René Tovar dhe Antonio Rosales përmes ESPN, detajohet se Pumas i ka bërë një ofertë prej 3 milionë dollarësh brazilianit, vetëm për të nënshkruar me ekipin meksikan.
Edhe pse paga specifike nuk është zbuluar, burimet detajuan se do të ishte ndër pagat më të mira në futbollin meksikan, vetëm pas Florian Thauvin, André-Pierre Gignac, Guillermo Ochoa dhe Jonathan Rodríguez.
E veçanta e madhe është mënyra e pagës së brazilianit, 100 mijë dollarë për çdo ndeshje të luajtur. Kjo, për shkak të moshës 39-vjeçare të futbollistit me më shumë trofe të fituar në historinë e futbollit.