BotaLajme

Biden: Jam i sigurt se Trump do të përsërisë dhunën nëse humb zgjedhjet

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden deklaroi se nuk ka besim që do të ketë një tranzicion paqësor të pushtetit nëse Donald Trump humbet zgjedhjet presidenciale në nëntor.

Në intervistën e tij të parë që kur u largua nga gara presidenciale muajin e kaluar, Biden tha se nuk ka besim fare te Trump dhe te gjërat që ai thotë.

Komenti i Trump në mars se do të ishte “një gjakderdhje për vendin” nëse ai humbet zgjedhjet, teksa po fliste për industrinë e automobilave, shkaktoi një valë kritikash.

Demokratët nxituan të përsërisin mesazhin e tyre se ish-presidenti përbën një kërcënim për demokracinë. Fushata e Biden-it e përdori komentin “banjë gjaku” në një reklamë të postuar në llogaritë e saj në mediat sociale dhe një zëdhënës e akuzoi Trump për inkurajim dhe justifikim të dhunës politike.

Sidoqoftë, fushata e Trump tha se komenti kishte të bënte veçanërisht me industrinë e automobilave dhe ishte nxjerrë qëllimisht jashtë kontekstit.

“Ata e kuptuan plotësisht se po i referohesha thjesht importeve të lejuara nga Joe Biden, të cilat po vrasin industrinë e automobilave”, shkroi Trump në mediat sociale.

Biden e ka shprehur edhe më parë shqetësimin se ish-rivali i tij nuk do të pranonte rezultatin e zgjedhjeve. Gjatë debatit presidencial në CNN në qershor, Trump u pyet drejtpërdrejt nëse ai do të pranonte rezultatet e zgjedhjeve të 2024.

“Nëse janë zgjedhje të drejta, të ligjshme dhe të mira, absolutisht ,” u përgjigj ai duke mos vijuar më tej me përgjigjen.

 

Show More

Related Articles

Back to top button