Për 629 denarë janë rritur shpenzimet mujore minimale të një familjeje në gusht në krahasim me korrikun, njoftoi sot Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë, e cila e përgatit shportën minimale sindikale. Në bazë të llogaritjeve të LSM-së, në gusht vlera e shportës minimale ishte 61.199 denarë.
Në periudhën nga janari deri në gusht, shporta minimale është rritur për 4.036 denarë, ndërsa prej kur llogaritet sipas metodologjisë së re, gjegjësisht nga dhjetori deri në gusht të këtij viti për 4.677 denarë. “Të dhënat nga Shporta minimale sindikale tregojnë se edhe pa rritje të pagave, shpenzimet e jetesës po rriten në mënyrë maramendëse, nuk ka asnjë justifikim për këtë dhe askush nuk po mundohet ta pengojë, madje i bën qytetarët, punëtorët dhe pensionistët më të varfër. Të dhënat nga shporta minimale e sindikale duhet të thyejnë dilemat e të gjithë atyre që mendojnë se pagat e punëtorëve janë fajtore më të mëdha për rritjen e inflacionit, gjegjësisht për rritjen e shpenzimeve të jetesës. Vetëm me rritjen e pagave mund të ruhet standardi i jetesës së punëtorëve dhe për këtë arsye kërkesat e punëtorëve për rritje pagash janë të arsyetueshme”, thonë nga LSM. Enti Shtetëror i Statistikës në korrik mati inflacion prej tre për qind në nivel vjetor.