Marrëdhëniet tradicionalisht të fuqishme dhe miqësore mes Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Turqisë u konfirmuan sot në takimin mes ministrit për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani dhe ambasadorit të Turqisë në Maqedoninë e Veriut, Fatih Ulusoj.
Në takim, siç informon MÇE, u theksua bashkëpunimi i shkëlqyer i projekteve bilaterale që zhvillohet përmes Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA).
TIKA, siç theksohet ka një gamë të gjerë aktivitetesh dhe ofron mbështetje të vazhdueshme në zhvillimin social-ekonomik në vendin tonë përmes projekteve të shumta të realizuara, të rëndësishme për arsye të fleksibilitetit dhe orientimit të tyre drejt rezultateve në sferat e arsimit, shëndetësisë, infrastrukturës administrative dhe sociale, transportit dhe bujqësisë.
“Bashkëbiseduesit riafirmuan gatishmërinë për thellimin e këtij bashkëpunimi nga të dyja palët, duke i ndërtuar bazat e fuqishme të respektit të ndërsjellë që përcakton marrëdhëniet mes Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë”, thuhet në komunikatë.