Sipas rezultateve të një studimi të shpalosur ditët e fundit, janë shumë persona me origjinë të huaj që paguajnë “tepër se sa duhet” për sigurimet e tyre të automjeteve.
Ndodhë që një individ të paguaj gati dyfish më tepër se dikush tjetër, e këtu hasim shembuj të shumtë të njerëzve që vijn nga trojet tona, përfshirë këtu edhe ballkanasit në përgjithësi.
Sipas analistëve, përveç origjinës apo shtetësisë, janë edhe disa faktorë të tjerë që prezantohen si arsye të kësaj dukurie, siç janë shpenzimet që klienti i shkakton sigurimit, por pse jo edhe “stili” i vozitjeve të shpejta dhe të papërgjegjshme!
Në aspektin juridik, rregullat që mbizotërojnë në fushën e së drejtës private zvicerane – ku përfshihen edhe kontratat e sigurimit të automjeteve – e privilegjojnë lirinë kontraktuese e cila nënkupton se propozuesi i kontratës ka të drejtë që lirshëm të definojë tarifat që i përshtaten atij, duke qenë kështu i lirë që të lidhë apo jo një kontratë me një individ.
Me fjalë të tjera, ashtu si edhe në fushën e punës apo qirasë së banimit, edhe në atë të sigurimeve, një kompani për sigurimin e automjeteve nuk është aspak e detyruar të lidhë kontratë me dikë që duket se nuk i konvenon !
Apo ndodh që një kompani do t’i pranoi të gjitha kategoritë e personave të interesuarë, por duke aplikuar disa kritere specifikë pranimi ku përfshihet edhe shtetësia e kandidatit. Kjo e fundit ndikon drejtpërdrejt edhe në caktimin e nivelit të tarifës së sigurimit.
Mënyra e tillë e veprimit të disa sigurimeve natyrisht se bie në ndesh me rregullat që kanë të bëjnë me barazinë dhe mos diskriminimin.
Megjithatë, duhet pranuar se edhe mekanizmat juridikë të shtetit zviceran tregohen të pafuqishme për luftimin e padrejtësive eventuale në këtë fushë, pasi që parimi i lirisë kontraktuale është ai i cili dominon.
Është thjesht një parim kushtetues, ashtu si edhe parimi i mos diskriminimit, por ky i fundit nuk e ka aspak lehtë t’iu përballet rregullave të lartpërmendura të lirive që e karakterizojnë fushën e kontratave.
Në këndvështrimin e mirëfilltë juridik, do të ishte një betejë jashtëzakonisht e vështirë nëse synohet kontestimi i praktikës së tillë të sigurimeve.
Edhe disa tentime të deritanishme në disa raste të rralla nuk kanë dhënë asnjë rezultat të kënaqshëm, në përjashtim të vlerës së iniciativave të tilla për me e sensibilizuar publikun e gjerë për një problem që ekziston realisht.
Në praktikën zvicerane nuk aplikohet detyrimisht modeli i sigurimeve i quajtur « bonus malus », i cili mundëson që të bazohemi në kritere më precize për të individualizuar përgjegjësinë, edhe atë duke mbajtur një llogari më të qartë për çdo rast, që mundëson pastaj përshtatjen e tarifave për çdo individ.
Një aplikim i përpiktë i metodës së tillë, mundëson të shmanget nevoja që të merret parasysh edhe kriteri i shtetësisë. Metoda e tillë, nuk është as e detyrueshme e as aq e pranishme në Zvicër në krahasim për shembull me Francën, Belgjikën e Greqinë.
Kjo nuk domethënë se në Zvicër nuk merren parasysh një sërë kriteresh para se të lidhet apo përshtatet një kontratë sigurimi, por prapëseprapë përkatësia nacionale e kandidatit mban një peshë të madhe.