LajmeMaqedoni

JAKUPI: A ISHTE NEVZAT BEJTA POLITIKAN NEGATIV?

Nevzat Bejta udhëhoqi Komunën e Gostivarit nga viti 2013 deri në 2017, periudhë gjatë së cilës krijoi një imazh të politikanit negativ në sytë e qytetarëve. Kjo bindje e fortë çoi në votimin kundër tij në zgjedhjet e vitit 2017, ku Arben Taravari, kundërkandidati i tij, përfitoi nga dëshira e popullit për ndryshim.

Gjatë mandatit të parë, ekipi i Aleancës për Shqiptarët u shqua për qasjen e saj të drejtpërdrejtë me qytetarët, duke fituar besimin dhe mbështetjen e tyre të fuqishme. Fitorja e Aleancës për Shqiptarët në zgjedhjet e radhës ishte dëshmi e vlerësimit të qytetarëve për këtë qasje të re.

Megjithatë, pas fitimit të mandatit të dytë, ndryshimet filluan të bëhen të dukshme. Arben Taravari ndryshoi stilin e tij të udhëheqjes dhe veprimet e tij u ndikuan nga afrimi me figura politike të fuqishme nga periudha e Nevzat Bejtës . Formimi i koalicionit VLEN dhe përfshirja e Izet Mexhitit shënoi rikthimin e personave të afërt me Bejtën në skenën politike të Gostivarit. Si rezultat, shumë nga praktikat e udhëheqjes së Arbenit filluan të pasqyrojnë ato të epokës së Bejtës.

Kjo situatë ngre pyetjen: a ishte vërtet Nevzat Bejta një politikan negativ? Apo ishin njerëzit që e rrethonin Bejten njerëzit që e shtynin të vepronte ashtu? Duke parë ngjashmërinë në veprimet e Arben Taravarit pas afrimit me të njëjtët njerëz, duket se ndoshta ishte ndikimi i rrethit të tij që formësoi politikat dhe vendimet e tij.

Në analizë të fundit, duhet të kuptojmë se politikanët shpesh janë produkt i rrethanave dhe njerëzve që i rrethojnë. Për të kuptuar plotësisht dinamikat politike të Gostivarit dhe për të marrë vendimet më të mira për të ardhmen, duhet të shqyrtojmë me kujdes strukturat e pushtetit dhe ndikimet e tyre. Vetëm kështu mund të sigurojmë një qeverisje të drejtë dhe efektive për qytetarët tanë.

– Berat Jakupi, Nënkryetar i Aleancës për Shqiptarët

Show More

Related Articles

Back to top button