Kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti pret që këtë vit të rikthehen për gërmime në Batajnicë. Ani pse pala serbe nuk ka dhënë datë se kur mund të fillojnë punimet, ai konsideron që në atë lokacion ka numër i madh i mbetjeve mortore. Kosova i ka dërguar në Serbi rreth 20 kërkesa, siç shton Hoti, për gërmime në territorin e këtij vendi.
Sipas tij, aktualisht janë në vlerësim të terrenit në afërsi të Novi Pazarit.
Në intervistën për KosovaPress, Hoti përsërit kërkesën për qasje të plotë në arkiva të brigadës 37 të ushtrisë jugosllave, teksa shton se i ka dërguar shkresë edhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Brenda këtij viti në territorin e Kosovës janë bërë gërmime në 14 lokacione.
“Ekipet tona janë në Matiqan, në lokacionin që e quajmë Matiqan apo në varrezat e Matiqanit në Komunë të Prishtinës. Ky është lokacioni i 14-të që brenda këtij viti ne po gërmojmë, por kur flasim për gërmime nuk flasim gjithmonë për rezultate.
Ne e kemi thënë gjithmonë këtë sepse jo shpesh herë neve na krijojnë rezultate gërmimet që i bëjmë në territorin e Kosovës, kjo për shkak të mungesës së informacioneve që i kemi në kuadër të informatave për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur. Puna jonë është që të hulumtojmë, të trajtojmë çdo lloj informacioni apo të gërmojmë aty ku ne e shohim të arsyeshme. Ju e dini që pikërisht në këto varreza në Matiqan, vitin e kaluar kemi arritur të identifikojmë dy persona që kanë qenë në listën e personave të zhdukur.
Por, në bazë të informatave tona ne kemi qenë në kërkim të një personi tjetër krahas këtyre dyve që i kemi identifikuar, ky personi tjetër ende mungon. Është një person që është marrë nga Spitali i Prishtinës në kohë të luftës dhe janë zhdukur gjurmët e tij”, thotë Hoti.
Hoti shpreson se me presion do të mund të arrijnë gjatë këtij viti të rikthehen për gërmime në Batajnicë.
“Diku rreth 20 kërkesa apo 20 raste të ndryshme i ka bërë Kosova Serbisë të përgjithshme për rikthim apo trajtim të lokacioneve të reja në territor të Serbisë. Deri më sot kemi arritur që të marrim një lokacion, pra aktualisht sepse një pjesë e ekipeve janë të ndara, një pjesë e ekipeve janë në vlerësim të terrenit në afërsi të Novi Pazarit.
Po insistojmë në vazhdimësi që përveç këtij lokacioni, sepse këtë lokacion Serbia e ka hudh në tavolinë por pa dhënë informacione konkrete të sakta se çka mund të gjejmë apo saktësisht në cilat koordinata mund të jetë kjo varrezë masive. Përveç kësaj ne po kërkojmë me ngulm që të rikthehemi në Batajnicë brenda këtij viti. Janë edhe një grup apo një numër goxha i madh që ne mendojmë mund të ketë mbetur në atë kohë, në vitin 2000 kur janë bërë zhvarrimet atëherë. Nuk e kanë refuzuar palë serbe këtë lokacion për rikthim, por nuk kemi pranuar ende as datë, nuk kemi pranuar as dokument, nuk është caktuar asgjë për rikthim në këtë lokacion”, shprehet ai.
Përkundër insistimit dhe kërkesave të shumta dërguar palës serbe, Hoti thekson se Serbia nuk po ofron informacione për personat e zhdukur.
“Prapë kemi lokacione të tjera në territorin e Prishtinës dhe pas kësaj do të dalim në bazë të agjendës që e kemi në Drenas. Nuk mund të them saktë numrin e gërmimeve që do të bëjmë këtë vit, sepse varet për shkak të rrethanave të ndryshme por unë besoj që do të kalojë numrin 20, lokacione që ne i trajtojmë dhe gërmojmë brenda këtij viti në territor të Kosovës.
Sa i përket territorit të Serbisë besoj që e keni parë disa herë që është diskutuar edhe në media, ne i kemi pasur dy takime me palën serbe brenda këtij viti, me 31 janar dhe me 2 korrik të këtij viti, gjithmonë në kërkim, jo të gjithave sepse nuk i kemi të gjitha informatat por në kërkim të atyre që i dimë.
Ato që i dimë janë arkivat që po i kërkojmë në vazhdimësi, ato që ne i dimë janë shkresat që i kam dërguar zotëri Vuçiq vitin e kaluar më 1 qershor, ato që i dimë janë rikthimi në lokacionet që potencialisht na kanë mbetur persona të pa tërhequr prej vendeve si Batajnica, Petrovosello, Peruqas, pastaj edhe te Novi Pazari”, shton ai.
Kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti thotë se dhjetë vjet i janë dashur Kosovës për gërmime në dy lokacione të Serbisë.
“Dy rastet e kaluara që kanë ndodhur gërmimet, në të dyja ekipet tona kanë mbetur nga pesë vjet. Dhjetë vjet kemi bërë në dy lokacione dhe është dashur pas pesë vitesh me mezi, njëra ka ndodhur përmes imazheve satelitore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës edhe tjetra në formë të ngjashme në mënyrë që të arrihet në lokacionin konkret.
Kështu që nuk kemi kohë më për të humbur as pesë vjet, as dhjetë vjet. Ne në të njëjtën kohë po shkojmë për të bërë vlerësimin në terren sepse e kemi obligim por në të njëjtën kohë po bëjmë një lloj presioni edhe të bashkësia ndërkombëtare edhe tek pala serbe, që mos të shkojmë diku dhe të mos kemi asnjë lloj informate konkrete dhe të humbim kohë me vite të tëra por që Serbia të na jep arkivat që i kanë”, përfundon ai.
Më 30 gusht shënohet Dita Ndërkombëtare e të Zhdukurve, ku mbi 1600 persona konsiderohen ende të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë. /kp/