LajmeMaqedoni

MPB: Turmat për dokumentet personale janë tejkaluar, qytetarët të ndërrojnë patentë shoferët deri në fund të dhjetorit

Ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski sot (03.09.2024) vizitoi pikën për ndërrim të dokumenteve personale “Prolet”, prej ku tha se turmat janë tejkaluar dhe gjendja e përgjithshme është normalizuar.

“E premtuar – e realizuar. Ajo që kemi paralajmëruar dy muaj më parë, se gjithçka që është dashur të vijojë në lidhje me dhënien e dokumenteve personale është e drejtë themelore e njeriut dhe e drejta e qytetarëve të Maqedonisë, që do ta kthejmë në normalitet, është përmbushur. Çdo qytetar i Maqedonisë nga kjo javë e tutje do të paraqesë kërkesë për dhënien e dokumentit personal si letërnjoftim, pasaportë, patentë shofer, do ta bëjë brenda 15 ditëve në kuadër të asaj të drejte ligjore. Ishte e vështirë, policët duhej të punonin jashtë orarit me dy turne, bënë të pamundurën dhe u jam shumë mirënjohës. Qytetarët meritojnë një mënyrë dinjitoze të nxjerrjes së dokumenteve dhe tash e tutje brenda afatit të lejuar me ligj”, theksoi ministri Toshkovski.

Ministri Toshkovski informoi se në mbarë vendin janë ndërruar mbi 1.750.000 dokumente udhëtimi, mbi 1.450.000 letërnjoftime dhe mbi 750.000 patentë shoferë.

Në të njëjtën kohë, ministri Toshkovski edhe një herë përkujtoi se vlefshmëria e patentë shoferëve me emrin e vjetër kushtetues, në përputhje me ndryshimin e ligjit që është bërë në shkurt, përfundon më 31.12.2024 dhe apeloi qytetarët që të përdorin pjesën e mbetur të afatit për të rinovuar patentën e tyre sa më parë deri në fund të afatit, për të mos krijuar turma të panevojshme.

Ministri Toshkovski theksoi se të gjitha objektet dhe sportelet e shërbimeve administrative të ministrisë funksionojnë me kapacitet të plotë dhe mund t’u shërbejnë qytetarëve për ndërrimin e patentë shoferëve në afat të rregullt, pa vonesa dhe turma.

 

Show More

Related Articles

Back to top button