Është rënduar bilanci i viktimave si pasojë e tajfunit Yagi, i cili përfshiu Vietnamin verior, duke shkaktuar përmbytje dhe rrëshqitje të dheut. Sipas të dhënave të autoriteteve vendase numri i të vdekurve u rrit në 197, ndërsa 128 persona ishin ende të zhdukur. Më shumë se 250,000 hektarë të mbjella janë shkatërruar.
Yagi, tajfuni më i fuqishëm që goditi Azinë këtë vit, zbriti në bregun verior të Vietnamit të shtunën dhe u zhvendos drejt perëndimit, duke goditur Hanoin me stuhi dhe shi të dendur. Stuhia goditi gjithashtu provincat e tjera deri në lumin e Kuq, më i madhi i zonës, duke shembur edhe një urë të hënën.
Një fshat i tërë u përfshi nga rrëshqitje dheu e shkaktuar nga përmbytjet në Vietnamin verior, duke shkaktuar viktima dhe duke lënë dhjetëra të zhdukur, shkruan A2.
Disa shkolla në Hanoi u kanë thënë nxënësve të qëndrojnë në shtëpi për pjesën tjetër të javës për shkak të shqetësimeve për përmbytjet, ndërsa mijëra banorë që jetojnë në zona të ulëta janë evakuuar.
Moti i keq ndërpreu energjinë elektrike për miliona familje dhe kompani, përmbyti autostradat, ndërpreu rrjetet e telekomunikacionit, rrëzoi mijëra pemë dhe ndaloi aktivitetin ekonomik për shumë qendra industriale.
Para se të godiste Vietnamin, Yagi goditi Kinën jugore dhe Filipinet, duke vrarë të paktën 24 njerëz dhe duke plagosur dhjetëra të tjerë.