LajmeMaqedoni

Disa kadetë në Ushtrinë e RMV-së përfundojnë në Klinikën për Sëmundje Infektive

Kadetët e Akademisë Ushtarake “Gjeneral Mihailo Apostolski” me simptoma të të përzierave dhe të vjellave kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Klinikën Infektive në Shkup.

Drejtori i Klinikës për Sëmundje Infektive, Fadil Cana, në një deklaratë për AIM tha se 10 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore dhe të gjithë kanë pasur simptoma të lehta, përveç njërit, i cili është mbajtur për trajtim, por është në gjendje të mirë shëndetësore. Të tjerët pas ndihmës mjekësore janë kthyer në Akademi.

Informacioni është konfirmuar edhe nga Ministria e Mbrojtjes nga ku kanë bërë të ditur se dje në orët e para të mëngjesit 20 kadetë dhe dy oficerë të qendrës së trajnimit të kadetëve janë ankuar për të përziera të shoqëruara me të vjella.

“Fillimisht, tre kadetë janë ankuar për të përziera dhe të vjella, më pas janë transferuar me urgjencë në Klinikën Infektive në Qendrën Klinike “Nënë Tereza”, ku janë ekzaminuar nga mjeku kujdestar dhe dy janë kthyer në repart pa diagnozë specifike, ndërsa një kadet është shtruar në spital dhe pritet të kthehet sot në Akademi. Më vonë, shtatëmbëdhjetë kadetë të tjerë dhe dy oficerë janë ankuar për të njëjtat simptoma, pas së cilës të gjithë janë dërguar në Klinikën Infektive, ku janë trajtuar nga stafi mjekësor dhe pasi është konstatuar gjendja e tyre stabile, janë lëshuar”, thonë nga Ministria e Mbrojtjes.

Ministria e Shëndetësisë ka kërkuar nga Qendra Mjekësore Ushtarake së bashku me inspektorët e Qendrës për Shëndet Publik dhe Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë që të hetojnë shkaqet e këtij rasti.

“Gjatë ditës së djeshme, në kazermën “Goce Dellçev”, ku ndodhet Akademia Ushtarake, është bërë mbikëqyrje e jashtëzakonshme higjieno-epidemiologjike nga ekipet e Qendrës për Shëndet Publik, Institutit për Shëndet Publik, Inspektoratit Shtetëror Sanitar Shëndetësor dhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, si dhe nga Qendra Mjekësore Ushtarake në kazermën “Boro Menkov” në Kumanovë, ku edhe katër persona janë ankuar për sëmundje të stomakut dhe janë marrë mostrat e kontrollit për ekzaminim. Qëllimi i këtyre inspektimeve të jashtëzakonshme është zvogëlimi ose eliminimi i plotë i të gjitha rreziqeve që mund të ndikojnë në shëndetin e njeriut. Pas rezultateve të marra nga testet, të cilat i presim gjatë ditës së sotme, do të ndërmerren hapa të mëtutjeshëm sipas rekomandimeve të institucioneve kompetente”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.

 

Show More

Related Articles

Back to top button