Donacion në vlerë prej 4500 euro ka pranuar Shtëpia e Shëndetit në Gostivar. Bëhet fjalë për mjete pune të cilat ky institucion shëndetësor nuk i ka pasur në të kaluarën sikurse defibrilatorë për intervenim në terren gjatë dhënies së ndihmës së parë. Drejtori i Shtëpisë së Shëndetit në Gostivar, Vullnet Ollomani bëri të ditur se donacioni vjen nga një bashkëvendase e cila jeton dhe vepron në Suedi. Donacioni në fjalë, tha ai, do ta lehtësojë tej mase punën e mjekëve gjatë intervenimeve në terren për çka shprehet falenderues në emër të mjekëve dhe pacientëve.
“Kemi pranuar një donacion nga një bashkëvendase e jona e cila është sipërmarrëse në shtetin e Suedisë. Donacioni është shumë i qëlluar sepse kemi edhe pajisje dhe materiale harxhuese që do të na shërbejnë për pacientët tanë, dhe do të risin kualitetin e shërbimeve që ne i kryejmë ndaj qeytetarëve tanë. Kemi pajisje shumë me vlerë, diku rreth 4500 euro dhe ato përbëhen nga defibrilator për reanimim të pacientëve në terren dhe pajisje tjera për intervenmim në terren. Janë të gjitha për intervenim në terren gjatë dhënies së ndihmës së parë”, deklaroi Vullnet Ollomani, drejtor i Shtëpisë së Shëndetit në Gostivar.
Mjekët Flarushe Osmani dhe Marjan Siljanoski thonë se defibrilatorët janë pajijse të cilat përdoren shumë në terren gjatë intervenimeve, por deri më tani ato ju kanë munguar. Kjo ndihmë, shtojnë ata, nuk e lehtëson vetëm punën e tyre, por ndihmon në shpëtimin e jetës së pacientëve.
“Defibrilatorët do të na shërbejnë shumë pasi i përdorim shumë në terren në rastet e rënda. Gjithashtu, edhe shumë mjete tjera na kanë ardhur sikurse karriget, dërrasa, mjete për dezinfektim dhe shumë të tjera”, deklaroi mjekja Flarushe Osmani.
“Puna jonë do të lehtësohet në masë të madhe. Defibrilatorët i kemi të nevojshëm pasi janë mobil e që deri më tani nuk i kemi pasur. Edhe pajisjet tjera që na janë dhuruar, i kemi të nevojshme pasi janë për përdorim të përditshëm dhe janë materiale harxhuese. E gjithë kjo ndihmë neve do na lehtësojë punën tonë në terren me pacientët”, deklaroi mjeku Marjan Siljanoski.
Donacioni në fjalë, menjëherë pas mbërritjes nga Suedia u është dorëzuar mjekëve të Shtëspisë së Shëndetit në Gostivar për ta vendosur në përdorim.