Përmbytjet më të ashpra që kanë goditur Evropën Qendrore në dy dekadat e fundit kanë shkaktuar dëme të mëdha nga Rumania deri në Poloni, duke përhapur baltë dhe mbetje nëpër vendbanime, duke shkatërruar ura, duke fundosur automjete dhe duke i lënë autoritetet dhe amvisëritë me dëme të mëdha. Kryeministri i Polonisë, njoftoi se do të nevojiten më shumë se një miliardë euro për pasojat nga përmbytjet. Në Hungari, autoritetet hapën një digë në veriperëndim të vendit, për të kanalizuar ujin nga lumi Lajta në një rezervuar emergjent. Në kryeqytetin Budapest, uji i Danubit pritet të arrijë në nivelin e 8.5 metrave apo ta kapërcejë atë, dikur gjatë të premtes apo të shtunës. Reshjet e dendura të shiut kanë rezultuar në përmbytje të rënda në një pjesë të madhe të Evropës Qendrore ditët e fundit, duke përfshirë Poloninë, Çekinë, Sllovakinë, Rumaninë dhe Austrinë. Ka pasur të paktën 16 viktima në këto rajone.
“Ndihma financiare vjen vetëm pas vlerësimit të dëmeve nga përmbytjet. Do të jetë shumë mbi një miliard euro. Duhet ta sjellim disi kreun e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen këtu në ditët në vijim, ndoshta edhe në orët në vijim, për të bërë marrëveshje dhe që ajo të shohë me sytë e saj se sa shumë serioze janë pasojat dhe që ata të fillojnë të mendojnë, që muajt në vazhdim të caktojnë fonde financiare”, tha Donald Tusk, kryeministri i Polonisë. /Alsat.mk