Më shumë se 300 trupa nga Mbretëria e Bashkuar do të dislokohen në Kosovë për ato që misioni paqeruajtës i Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior në Kosovë, KFOR, thotë se janë ushtrime rutinore.
Këto ushtrime do të mbahen deri në fund të tetorit, ka njoftuar KFOR-i nëpërmjet një komunikate, pa dhënë hollësi se ku do të zhvillohen ato.
KFOR-i ka njoftuar se stërvitjet kanë për qëllim “të testojnë procedurat ekzistuese për dislokimin e shpejtë të trupave shtesë dhe integrimin e tyre në kuadër të misionit”.
Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë ka bërë të ditur, po ashtu, se stërvitjet do të mbështesin gatishmërinë e KFOR-it “për t’iu përgjigjur zhvillimeve relevante të sigurisë”.
Njoftimi për dislokimin e trupave shtesë dhe për stërvitje u bë disa javë pasi KFOR-i zhvilloi atë që e quajti trajnim mbi urën e Ibrit, që ndan Mitrovicën në jugun e banuar me shqiptarë dhe veriun e banuar me serbë.
Mbi këtë urë, që Kosova po synon ta hapë për qarkullim të automjeteve, KFOR-i ka prani të përhershme.