Zelensky ka gati planin e paqes, Rusia merr dy vendbanime në rajonin e Kursk
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka gati planin për t’i dhënë fund luftës më Rusinë. “Plani i tij i Fitores”, që synonte të sillte paqen në Ukrainë duke e mbajtur vendin të fortë dhe duke shmangur të gjitha “konfliktet e ngrira”, tani ishte i përfunduar pas shumë konsultimeve, citon Reuters.
“Sot, mund të thuhet se plani ynë i fitores është plotësisht i përgatitur. Të gjitha pikat, të gjitha fushat kryesore të fokusit dhe të gjitha shtesat e nevojshme të detajuara të planit janë përcaktuar. Gjëja më e rëndësishme është vendosmëria për ta zbatuar atë”, tha Volodymyr Zelenskyy, President i Ukrainës.
Zelensky u zotua t’ia paraqesë planin e tij presidentit amerikan Joe Biden, me sa duket javën e ardhshme kur ai të marrë pjesë në seancat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe Asamblesë së Përgjithshme.
Ndërsa ofronte përditësime ditore mbi përgatitjen e planit, Zelensky ka dhënë pak të dhëna për përmbajtjen, duke treguar vetëm se synon të krijojë kushte të pranueshme për Ukrainën, e cila tashmë është e mbyllur në konflikt me Rusinë për më shumë se 2 e gjysmë vjet.
Sakaq, forcat ruse bëjnë të ditur se kanë marrë kontrollin e dy vendbanimeve në rajonin kufitar rus të Kurskut. Kjo është raportuar nga agjencia e lajmeve Tass, duke cituar gjeneralmajorin rus Apty Alaudinov, i cili në një video në Telegram saktësoi se “ushtarët rusë hynë në Nikolayevo dhe Daryino dhe morën kontrollin e tyre”.
Në 24 orët e fundit, Rusia shënjestroi objektet energjetike të Ukrainës dhe goditi infrastrukturën civile. Sipas një organi monitorues të OKB-së sulmet e Moskës në rrjetin elektrik ndoshta shkelnin ligjin humanitar. Forcat ajrore të Ukrainës thanë se kishin rrëzuar të 42 dronët dhe një nga katër raketat e lëshuara nga Rusia në sulmet e fundit në më shumë se 2-1/2 vjet luftë që nga pushtimi në shkallë të plotë të Rusisë.