Në llogaritë hynin para për kujdestari derisa drejtorët e institucioneve publike shëndetësore janë kënaqur në plazh, ndërsa ndërkohë borxhi publik i institucioneve shëndetësore ishte në rritje të vazhdueshme, shkruan Alsat.
Të punësuarit kanë marrë rroga edhe në bazë të marrëveshjeve kolektive që nuk ekzistonin, ndërsa paratë janë derdhur në institucionet publike shëndetësore përmes prokurimit publik, si dhe përmes shtesave për pushim mjekësor, thekson drejtori i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, Sasho Klekovski.
“Mbase ju kujtohet, në vitin 2022, një drejtoreshë e Klinikës ka paguar kujdestari duke postuar foto se ka qenë me pushime në Turqi, ose nuk e di diku tjetër. Për shkak të këtij rasti është iniciuar kontroll i jashtëzakonshëm i të gjithë drejtorëve në Qendrën Klinike, ndërsa është konstatuar se shumica e tyre janë paguar në detyrë kur nuk kanë qenë në punë. Tashmë kemi konstatuar blerje të kushtëzuara dhe të dyshimta të softuerit në sasi që në disa klinika janë shumë më shumë, 20, 30 herë nga kostot në klinika të tjera. I shqyrtojmë abuzimet në blerje dhe në fund i kontrollojmë”, tha Sasho Klekovski, drejtor i Fondit të Sigurimit Shëndetësor.
Përveç kësaj, drejtori i një institucioni publik shëndetësor i ka paguar shpenzimet e udhëtimit me muaj pa asnjë vërtetim në shumë prej 500 mijë denarësh. Një tjetër drejtor ekonomik e ka rritur pagën jashtë kontratës kolektive për 400 mijë denarë në periudhë prej një viti.
Në raportin e vitit 2023 thuhet se në disa klinika janë paguar para për kujdestari pa leje nga Ministria e Shëndetësisë, ndërsa i gjithë institucioni në qendrën shëndetësore publike ka paguar paga në bazë të një marrëveshje kolektive inekzistente. Për shumicën e këtyre shpërdorimeve, Komisioni Kundër Korrupsionit do të duhet të hapë lëndë.
“Mendoj se janë bërë disa kërkesa nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit pas ankesave anonime ndaj tyre dhe janë dorëzuar, kontrollet janë bërë dhe u janë dorëzuar rezultatet. Supozoj se më tej do t’i dorëzojnë në prokurorinë publike. Për gjërat e tjera që zbulojmë, e informojmë Ministrinë e Shëndetësisë si përgjegjëse në fushën e shëndetësisë dhe planifikojmë që kur të kemi pak më shumë rezultate, t’i përmbledhim rezultatet dhe t’i dërgojmë në institucionet kompetente për ndjekje”, u shpreh Sasho Klekovski, drejtor i Fondit të Sigurimit Shëndetësor.
Si pasojë e këtyre keqpërdorimeve, ndonëse ndikojnë edhe faktorë të tjerë, borxhi publik i institucioneve shëndetësore arrin në pesë miliardë denarë, nga të cilat vetëm në gjashtëmujorin e parë të vitit 2024 është shënuar rritje prej një miliardë denarësh.
Klekovski siguron se ka plan që së shpejti të zvogëlohet ky borxh, në mënyrë që qytetarët të marrin shërbime të rregullta shëndetësore. / Alsat.mk