Më së paku 558 njerëz janë vrarë si pasojë e bombardimeve të ashpra izraelite ndaj shënjestrave të Hezbollahut në Liban, tha Ministria e Shëndetësisë e Libanit të martën.
Ushtria izraelite kreu të hënën sulme intensive ndaj Hezbollahut – grupit militant të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara. E hëna ishte dita më vdekjeprurëse e konfliktit atje në 20 vjetët e fundit.
Mijëra familje kanë ikur nga shtëpitë e tyre, gjithashtu.
Ushtria Izraelite tha se i goditi 1.600 shënjestra të Hezbollahut në përpjekje për ta shkatërruar infrastrukturën që ky grup i armatosur e kishte ndërtuar pas luftës së vitit 2006.
Hezbollahu, ndërkohë, i shkrepi mbi 200 raketa në veri të Izraelit, sipas ushtrisë. U raportua për dy njerëz të plagosur atje.
Fuqitë botërore kanë bërë thirrje për vetëpërmbajtje, pasi të dyja palët duket se po shkojnë drejt një luftë të përgjithshme.
Ministria e Shëndetësisë e Libanit tha se 50 fëmijë dhe 94 gra janë në mesin e të vrarëve, derisa 1.835 njerëz të tjerë janë plagosur.
Ajo nuk tregoi se sa prej të vrarëve ishin civilë apo luftëtarë.
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, iu drejtua popullit libanez përmes një videoje.
“Lufta e Izraelit nuk është kundër juve, është kundër Hezbollahut. Hezbollahu ka kohë të gjatë që është duke ju përdorur si mburojë njerëzore”, tha Netanyahu drejtuar libanezëve.
Të hënën në mëngjes, Izraeli u bëri thirrje banorëve në jug të Libanit të largohen nga shtëpitë e tyre në pjesët ku tha se Hezbollahut ruan armët, duke i paralajmëruar për “bombardime të ashpra” atje.
Hezbollahu është përballur me trysni të madhe në javët e fundit, pasi javën e kaluar mijëra pajisje komunikimi – pejxherë dhe radiolidhje – të përdorura nga pjesëtarët e saj shpërthyen.
Për shpërthimin e këtyre pajisjeve Hezbollahu e ka fajësuar Izraelin, i cili as nuk e ka pranuar e as mohuar përgjegjësinë.
Hezbollahu filloi të hedhë raketa drejt Izraelit në mënyrë të përditshme pas sulmit të 7 tetorit në Izrael nga Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Izraeli është përgjigjur me sulme ajrore dhe konflikti është rritur prej atëherë.
Hezbollahu ka thënë se do të vazhdojë të kryejë sulme derisa të arrihet një armëpushim në Rripin e Gazës.
Militantët e Hamasit u futën furishëm në jug të Izraelit më 7 tetor dhe i vranë rreth 1.200 njerëz, kryesisht civilë, dhe i rrëmbyen 250 të tjerë.
Lufta e Izraelit në Gazë prej atëherë i ka vrarë mbi 41.000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës.