
Kandidati republikan për president, Donald Trump, është informuar nga inteligjenca amerikane për kërcënimet me vdekje nga Irani, tha sot ekipi i tij i fushatës.
Trump ishte informuar nga Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare për kërcënimet reale dhe specifike nga Irani – për ta vrarë atë në një përpjekje për të destabilizuar dhe mbjellë kaos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha zëdhënësi i tij Steven Cheung.
“Zyrtarët e inteligjencës kanë identifikuar se këto sulme të vazhdueshme dhe të koordinuara janë shtuar gjatë muajve të fundit”, tha Cheung.
Zyrtarët e zbatimit të ligjit po punonin për të siguruar që Trump të mbrohej dhe zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit të ishin pa ndërhyrje”, shtoi ai.
Cheung tha se Irani ishte i tmerruar nga fuqia dhe vendosmëria e Trump. Në gusht, agjencitë e inteligjencës amerikane ia atribuuan përgjegjësinë Iranit për hakerimin e fushatës së Trump.
“Më pas, hakerët iranianë dërguan informacione që kishin vjedhur nga fushata presidenciale e Donald Trump për njerëzit që ishin të lidhur me fushatën e Joe Biden gjatë verës”, thanë agjencitë.
Biden, fillimisht duhej të përballej me Trump në zgjedhjet presidenciale të nëntorit, por hoqi dorë nga kandidatura e tij për një mandat të dytë pasi mosha dhe aftësitë e tij mendore u vunë nën një vëzhgim në rritje.
Në vend të tij, u caktua zëvendëspresidentja e SHBA-së, Kamala Harris – e cila do të udhëheqë partinë demokrate.