Lajme

Sulmi ajror izraelit vret 23 punëtorë sirianë, raportojnë mediat libaneze

Ushtria izraelite e ka bombarduar një ndërtesë në të cilën po jetonin punëtorë sirianë në Liban, duke i vrarë 23 prej tyre, raportoi të enjten agjencia shtetërore e lajmeve e Libanit.

Ky ishte ndër sulmet më vdekjeprurëse në fushatën ajrore izraelite kundër Hezbollahut – grupit militant libanez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara.

Sulmi ndodhi të mërkurën mbrëma kur Shtetet e Bashkuara me aleatë bënë thirrje për një armëpushim të “menjëhershëm” 21-ditor mes Izraelit dhe Hezbollahut.

Izraeli ka kërcënuar se do të kryejë ofensivë tokësore në Liban, ndërsa këmbimi i rritur i zjarrit mes tij dhe Hezbollahut ka rritur frikën se mund të shpërthejë një luftë e përgjithshme.

Agjencia libaneze e lajmeve tha se sulmi ndodhi në afërsi të qytetit të lashtë, Balbek, në verilindje të Libanit, i cili shtrihet përgjatë kufirit me Sirinë.

Ajo e citoi kryetarin e fshatit Younine, Ali Kassas, duke thënë se trupat e 23 shtetasve sirianë janë nxjerrë nga rrënojat.

Kryqi i Kuq Libanez tha se i ka nxjerrë nëntë trupa të vdekur, duke shtuar se trupat e tjerë po nxirren nga ekipet emergjente të Hezbollahut dhe nga Mbrojtja Civile Libaneze.

Në Liban, i cili ka rreth 6 milionë banorë, jetojnë rreth 780.000 refugjatë të regjistruar sirianë dhe qindra mijëra të tjerë të paregjistruar.

Më shumë se 600 njerëz janë vrarë në Liban nga e hëna, kur Izraeli filloi bombardimet e pareshtura për ta shkatërruar atë që e quajti infrastrukturë të ndërtuar nga Hezbollahu prej luftës së fundit mes tyre më 2006. Hezbollahu ka gjetur qindra raketa drejt Izraelit gjatë kësaj jave.

 

Show More

Related Articles

Back to top button