LajmeMaqedoni

RMV, inspektorët në terren në burektore dhe markete të vogla, kontrollojnë nëse janë ulur çmimet

RMV, inspektorët në terren në burektore dhe markete të vogla, kontrollojnë nëse janë ulur çmimet

Sot kontrollohen burektoret, marketet më të vogla dhe shitësit e tjerë me pakicë për të parë nëse respektohet vendimi i qeverisë për të kufizuar marzhin e mbi 70 produkteve ushqimore bazë. Masa duhet të ulë kostot e ushqimit me rreth 10% dhe do të zgjasë deri në fund të tetorit, transmeton Portalb.mk

Inspektorati Shtetëror i Tregut thotë se në terren janë 47 ekipe, gjegjësisht 135 inspektorë në nivel të të gjithë Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Deri më tani janë kryer mbi 60 kontrolle në të gjithë territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

“Janë lëshuar 8 urdhërpagesa për kundërvajtje në vlerë prej mbi 1.196.000 denarë, ndërsa për subjektet e mbetura procedurat janë në vazhdim. E kemi përmendur dje se nuk do të ketë tolerancë dhe tregtarët kanë detyrim të respektojnë Vendimin”, tha ISHT.

Gjithsej 73 produkte do të kenë çmim të reduktuar deri më 31 tetor dhe shitësit me shumicë dhe pakicë kanë detyrim blerjen dhe shitjen në sasi mujore të paktën 70% të sasive në muajin gusht.

Shporta e vjeshtës përfshin produkte bazë si miell, bukë, produkte buke, makarona, oriz, vaj ulliri, mish, produkte qumështi, vezë, fruta dhe perime. Kufizimi i marzheve do të zbatohet edhe për produkte si ajvari, sheqeri, çokollata me qumësht, erëzat dhe kafeja e bluar.

Shitësit me pakicë duhet t’i shënojnë këto produkte me etiketat “më pak shpenzime, më shumë për ju” në mënyrë që të informojnë konsumatorët për marzhet e reduktuara.

Kujtojmë se, Qeveria ditë më parë mori vendim që të kufizojë marzhin bruto të fitimit të disa prej produkteve ushqimore bazë në 10% si në shitje me shumicë ashtu edhe me pakicë. Lista e produkteve ushqimore bazë në të ashtuquajturën shporta e vjeshtës përfshin 73 produkte që janë më të përfaqësuara në shportën e konsumit të qytetarëve.

 

Show More

Related Articles

Back to top button