LajmeRajon

Emigrimi i paligjshëm/ Greqia do të ndërtojë gardhin në kufi me Turqinë me ose pa BE-në

Qeveria greke planifikon që, me ose pa fonde të BE-së, të vazhdojë me planin e saj për të ndërtuar një gardh të ri në kufirin me Turqinë për të parandaluar migrimin e paligjshëm por Komisioni Europian këmbëngul se duhet të zbatohen zgjidhje më të zgjuara.

“Gardhi do të ndërtohet me ose pa Europën,” tha së fundmi kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis.

Ndërkohë, Athina ka frikë se përshkallëzimi në konflikti në Lindjen e Mesme mund të shkaktojë valë të reja migrimi dhe të marrë iniciativa diplomatike me Libanin dhe Autoritetin Palestinez.

Ndërtimi i një gardhi në kufirin tokësor verilindor me Turqinë filloi në vitin 2012 dhe që atëherë, ai është zgjeruar duke përdorur burimet financiare kombëtare.

Çështja u diskutua sërish pasi Gjermania vendosi të mbajë një qëndrim më të rreptë ndaj migracionit dhe politikanët në Berlin u bënë thirrje vendeve të linjës së parë, si Greqia, të rrisin mbrojtjen e kufijve të jashtëm të Europës.

Në dritën e zhvillimeve të reja, Athina vuri sërish në tryezë kërkesën e saj për zgjerimin e gardhit të financuar nga BE.

Autoritetet greke kanë raportuar një rritje të numrit të emigrantëve nga Turqia në vitin 2024 krahasuar me vitin e kaluar. Shumë theksojnë se stabiliteti politik midis Turqisë dhe Greqisë do të jetë çelësi për mbajtjen nën kontroll të valëve të emigrantëve dhe Athina po punon drejt këtij qëllimi.

Në fillim të kësaj jave, Mitsotakis zhvilloi një takim 30-minutësh me presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, në të cilin të dy ranë dakord të vazhdojnë punën për shkatërrimin e rrjeteve të kontrabandës.

Komisioni Europian, megjithatë, këmbëngul se kundërshton financimin e ndërtimit të gardheve, por pranon se qeveritë kombëtare e dinë më së miri se si të mbrojnë kufijtë e tyre.

 

Show More

Related Articles

Back to top button