LajmeMaqedoni

Gashi thotë se nuk mund ta detyrojë Ilire Dautin që ta vendos në rend dite ligjin për branitellat

Kryeparlamentari Afrim Gashi nuk mund ta thërrasë Komisionin për punë sociale që të diskutojë për ligjin e branitelave, pasi seanca ku duhej të shqyrtohej ky ligj tashmë është thirrur, por kryetarja e komisionit amë nuk e ka vendosur në rend dite, shkruan Alsat.

I pyetur nëse me këtë veprim kryetarja e komisionit për politikë sociale, demografi dhe të rinj, Ilire Dauti, po e shkel rregulloren, Gashi tha se nuk mund të bëjë gjykim të tillë.

“Unë jam kryetar i Kuvendit i cili e implementon rregulloren por jo i cili gjykon, nuk jam këtu për të gjykuar kush e then rregulloren, apo jo, nuk është e drejta ime. Është çështje e interpretimit nga palët, në aspektin politik, juridik, të ekspertëve, mbetet çështje e interpretueshme dhe e vlerësimit të palëve të ndryshme të interesuara për këtë çështje. Sa i përket asaj se unë mendoj që është çështje e absorbuar dhe do të duhet të shohim në të ardhmen nëse kemi problem me rregulloren, atëherë komisioni për mandate dhe rregullore duhet t’i shqyrtoj nenet e rregullores që janë në kolizion njëra me tjetrën”, tha Afrim Gashi, Kryetar i Parlamentit.

Ndërkaq deputetja Ilire Dauti, zbuloi për Alsat se deri tek ajo ka mbërritur nisma e 1/3 së përbërjes së Komisionit për Politikë sociale, të cilën e udhëheq ajo, me kërkesë që të thërrasë seancë për “branitellat”.

Dauti tha se nuk lëkundet nga qëndrimi i saj, pra nuk do ta vendos në rend dite këtë pikë, për aq kohë sa në këtë ligj nuk përfshihen edhe ish ushtarët e UÇK-së.

Pavarësisht thirrjes së VMRO-së për shkarkimin e saj ose interpelancë, Dauti nuk mendon se kolegët e saj do të denjonin ta bënin një gjë të tillë.

“Qëndrimi jonë është shumë i qartë. Ligje të tilla nuk mund të trajtohen në komisione i cili është i formuar për çështje tjera, për t’i trajtuar të gjithë qytetarët në rend të parë në mënyrë të barabartë. Prandaj mbetem në qëndrimin tim, as ma lëkundin aspak, fletushkat e këtilla siç edhe dje kanë dërguar një dokument deputetët e VMRO-së, që janë bërë një e treta e anëtarëve të Komisionit dhe kanë adresuar tek unë, kërkesën për ta thirrur komisionin me këtë pikë të rendit të ditës. Ashtu siç e bëri edhe para disa kohësh edhe kryetari i Kuvendit Afrim Gashi, i cili kërkoi nga unë që ta thirr komisionin”, u shpreh Ilire Dauti, deputete e Frontit Europian.

Zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë, Izet Mexhiti, thotë se as LSDM-së dhe as BDI-së nuk u interesojnë branitelat dhe as UÇK-ja, por si të shpëtojnë nga përgjegjësitë.

SINKRON: Izet Mexhiti, Zv kryeministër i parë
“09:37 “ …është një propozim i LSDM-së dhe BDI-së dhe ju siguroj se ky ligj nuk kalon. Në kohën e BDI-së disa herë ka kalu ligji i branitellave, ata edhe sot kanë status social, dallim prej ushtarëve të UÇK-së, kanë privilegje në shtet për hir të politikave të BDI-së dhe partnerëve të tyre në të kaluarën, Pra është një iniciativë e tyre dhe tani është në komision ku sërish është bllokuar dhe do mbetet I bllokuar. Kështuqë nuk ka hapësirë për të bisdu pasojat e këtij ligji, kur ky ligj pra nuk kalon.”

Seanca e komisioni për çështje të rregullores imunitetit dhe mandatit do të thirret, por kryeparlamentari Afrim Gashi nuk e precizoi nëse do të veprohet në bazë të kërkesës së LSDM-së që të konstatohet përgjegjësia e tij e mundshme. Ai tha se mund të përfshihet edhe mendimi I opinionit dhe ekspertëve me qëllim që të miratohen konkluzione më cilësore.

 

Show More

Related Articles

Back to top button