Ura mbi liqenin e Ujmanit në Bërnjak e cila lidhë Kosovën me Serbinë, më në fund ka marrë vëmendjen e shtetit.
Policia kosovare ka vendosur të enjten pengesa betoni në këtë urë, me qëllim që të parandalojë kontrabandën me mallra duke pamundësuar qarkullimin e kamionëve.
“Ajo zonë ka qenë e pambuluar, e pabllokuar. Policia kufitare ka vendosur sot pengesa të pjesshme, ka përdorur pengesa zig zage që kamionët mos të kalojnë, ndërsa veturat e vogla mund të kalojnë,” deklaroi zëvendësdrejtori i policisë në veri, Veton Elshani.
Në shkurt të këtij viti, televizioni Dukagjini kishte raportuar se si kjo urë që lidhë Bërnjakun e Kosovës me Vitkovicën e Serbisë patrullohej rrallë nga Policia e Kosovës.
Ndonëse në asnjërën anë nuk ka pikë kufitare, qarkullimi ka qenë i papenguar.
Atë kohë, Policia por as Ministria e Punëve të Brendshme nuk ishin deklaruar për mungesën e patrullimeve në këtë urë lidhëse që jo rrallë është shfrytëzuar për kontrabandë.
Kurse tani Policia thotë se rruga është nën monitorimin e saj.
“Nuk ka pika statike, mirëpo ka patrullime të shtuara dhe mënyra të tjera që ne e kontrollojmë atë zonë,” tha Elshani.
Elshani thotë se janë kujdesur që qytetarët e këtyre fshatrave mos të kenë telashe në qarkullim.