GostivarLajme

Uji për pije në Gostivar vazhdon të mbetet i papërdorshëm

Uji për pije i qytetit të Gostivarit vazhdon të mbetet i papërdorshëm. Rezultatat nga analizat e fundit pritet të dihen gjatë ditës së nesërme. Uji është i pakonsumueshëm që ditën e djeshme, pasi siç u njoftua nga ndërmarrja publike “Komunalec”, në testet mikrobiologjike kanë zbuluar praninë e baktereve koliforme dhe Escherichia coli, të cilat mund të paraqesin rreziqe serioze për shëndetin dhe apelohej që të shmanget pirja e ujit nga rrjeti i furnizimit me ujë. Lidhur me burimin e ndotjes, kryetari i komunës së Gostivarit, Valbon Limani thekson se me shumë gjasa pasiguria është pasojë e reshjeve të dendura në periudhën e kaluar, kur edhe janë marrë mostrat.

“Mostrat të cilat janë marrë nga uji i Gostivarit, kanë qenë para pesë apo gjashtë ditësh kur kishim reshje dhe sipas informatave jo zyrtare, ndodh që në këto periudha të paraqiten bakterie. Janë ndërmarrë të gjitha masat, sot janë marrë mostra të reja dhe brenda 24 orëve presim të kemi rezultate të reja dhe shpresoj se uji do të jetë i pijshëm”, deklaroi kryetari i komunës së Gostivarit, Valbon Limani.

Limani tha se për problemin në fjalë, do të ketë një takim me drejtorin e “Komunalecit”. Ndryshe, siç shpjegojnë kompetentët, që uji të miratohet për pije duhet që tri analiza të njëpasnjëshme të kenë rezultate pozitive, gjegjësisht parametrat makrobiologjike të jenë në normën e lejuar për konsum.

Show More

Related Articles

Back to top button