BotaLajme

Azilkërkuesit në Evropë: Si po i ndryshon politikat e djathta ekstreme

Më pak se gjashtë muaj më parë, Bashkimi Evropian firmosi një paketë reformash e hartuar për të adresuar të metat e dukshme në sistemin e përbashkët të azilit të zbuluara gjatë viteve të krizës së 2015 dhe 2016, kur ardhja e më shumë se 1 milion njerëzve i gjeti autoritetet kombëtare të papërgatitura.

Pakti i BE-së për migracionin dhe azilin ishte kulmi i gati 10 viteve negociata të vështira. 27 vendet ranë dakord mbi masat për të shpërndarë në mënyrë më të barabartë kostot e pranimit të azilkërkuesve në të gjithë bllokun, por gjithashtu për të forcuar mbrojtjen e kufijve të jashtëm.

Tani, ndërsa politikanët e ekstremit të djathtë ushtrojnë gjithnjë e më shumë ndikim në levat e pushteteve në kryeqytetet evropiane, si direkt në postet qeveritare ashtu edhe në mënyrë indirekte në opozitë, marrëveshja duket më e brishtë se kurrë.

Javët e fundit, një seri shtetesh që më parë kishin mbështetur fort paketën e reformave, që do të hynte në fuqi në vitin 2026, kanë njoftuar një forcim të politikave individuale kombëtare të azilit. Qeveria e re e krahut të djathtë të Francës, e mbështetur në heshtje nga Tubimi Kombëtar i ekstremit të djathtë, shpalli planet për të shtrënguar kufijtë. Nën presionin e sukseseve të fundit zgjedhore nga partia e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë, qeveria e koalicionit të qendrës së majtë në Berlin njoftoi se do të rrisë kontrollet në kufijtë e brendshëm të BE-së, për të kontrolluar migracionin.

Javën e kaluar, ministri holandez i ngarkuar për azilin, Marjolein Faber i partisë së ekstremit të djathtë PVV, shpalli planet për “një politikë më të ashpër të migracionit”. Faber i tha Komisionit Evropian se ajo do të kërkonte një tërheqje nga paketa ligjërisht e detyrueshme. Brenda pak ditësh, Budapesti njoftoi ambicie të ngjashme, duke shkaktuar frikë për një efekt domino.

Retorika e BE-së përballë realitetit

Në fund, doli se kërkesa e Hagës do të hynte në lojë vetëm nëse dhe kur traktatet e BE-së do të rinegocioheshin, diçka që nuk pritet së shpejti. Përjashtimet nga ligji i BE-së për politika të caktuara mund të ndodhë teorikisht (Danimarka ka një të tillë për politikën e migracionit), por kjo kërkon që miratimi i shteteve të tjera të shkruhet në ligjet bazë të BE-së.

Siç shpjegon Alberto-Horst Neidhardt i Qendrës së Politikave Evropiane, duhet pasur kujdes për të bërë dallimin midis retorikës dhe realitetit. “Ne dëgjojmë gjithnjë e më shumë deklarata politike duke u përpjekur t’i dërgojnë një mesazh elektoratit kombëtar,” tha Neidhardt. “Unë dua të bëj dallimin mes deklaratave politike të qeverive në javët e kaluara dhe punës teknike për paktin, e cila po ndodh aktualisht.”

Camille Le Coz, një eksperte nga Instituti i Politikave të Migracionit në Paris, është dakord. “Ka një hendek midis asaj që thuhet dhe bëhet.” Në të njëjtën kohë, “ajo që thuhet publikisht mund të ketë pasoja për vendet e tjera”.

Greqia, për shembull, ishte e indinjuar nga njoftimet e fundit të Gjermanisë për rritjen e kontrolleve kufitare, vuri në dukje ajo. Në të gjithë kontinentin, qeveritë janë gjithnjë e më të prirura për t’u parë si “të ashpra” ndaj migracionit. Shumë politikanë kanë frikë se mos akuzohen nga publiku për pranimin e ligjeve të BE-së që do të thotë të pranojnë më shumë azilkërkues. Shtetet anëtare janë duke vëzhguar nga afër njëri-tjetrin dhe ka shumë akuza për hipokrizi.

Pak shanse për zhvendosjen e refugjatëve

Në dy vitet e ardhshme, çdo vend do të duhet të shkruajë ndryshimet në ligjin kombëtar. Sipas rregullave të reja, azilkërkuesit dhe refugjatët do të kontrollohen më mirë brenda shtatë ditëve nga mbërritja në BE. Ato gjithashtu lejojnë që aplikantë të caktuar të mbahen në kufijtë e jashtëm dhe të vlerësohen në një procedurë të shpejtë për të lejuar dëbim më të shpejtë nëse nuk ka sukses aplikimi.

Por për politikanët e ekstremit të djathtë si kryeministri hungarez Viktor Orban, pjesa më e diskutueshme e ligjit është një mekanizëm që detyron të gjitha shtetet e BE-së të pranojnë refugjatë të miratuar nga shtetet e tjera anëtare, për të shpërndarë në mënyrë më të barabartë të ardhurit rishtaz.

Sipas rregullave të BE-së, kërkesat për azil në përgjithësi supozohet të bëhen në vendin e mbërritjes, një sistem që pakkush do të pretendonte se është i drejtë për shtetet kufitare jugore si Italia dhe Greqia.

Nëse shtetet e tjera anëtare refuzojnë zhvendosjen e tyre, ata duhet të paguajnë një kontribut financiar prej 600 milionë euro (668 milionë dollarë) në vit ose të ofrojnë mbështetje logjistike. Holanda, për shembull, ka të ngjarë të zgjedhë për kontribute financiare ose logjistike në vend që të pranojë zhvendosje imigrantësh, tha eksperti i migracionit Neidhardt. Kjo nuk do të ishte e njëjtë me një tërheqje, për të cilën do të duheshin vite për t’u negociuar. “Hollanda mbetet e lidhur me rregullat e sapo dakordësuara.”

Sa pranë kolapsit është politika e BE-së për azilin?

Pakti i emigracionit dhe azilit ishte një kompromis që nuk kënaqi plotësisht askënd – qofshin ata persona të vijës së ashpër kundër imigracionit si qeveria hungareze, shtete në kufijtë e jashtëm të BE-së si Greqia apo vende si Gjermania. Ndoshta më pak të impresionuar ishin ata që mbrojnë të drejtat e azilkërkuesve dhe emigrantëve, të cilët theksuan se marrëveshja nuk do të ndalonte mijëra njerëz të vdisnin gjatë kalimit të Mesdheut dhe ka të ngjarë të minonte të drejtën për të kërkuar azil.

Sipas mendimit të Neidhardt, pavarësisht nga ajo që qeveritë e BE-së thonë publikisht, privatisht ata e dinë se marrëveshja është “shumë e madhe për të dështuar”. “Nëse pakti dështon, kjo do të nënkuptonte fundin e sistemit të përbashkët evropian të azilit”, tha ai. “Dhe kjo nuk është në interesin e asnjë prej vendeve anëtare, pavarësisht nëse po flasim për Gjermaninë, Holandën – cilido qoftë.”

Në fakt, ashpërsimi i politikës së BE-së për azilin i paraprin paktit, apo edhe rritjes së fundi të ndikimit të së djathtës ekstreme në kryeqytetet nga Stokholmi në Romë. Për vite me rradhë, BE-ja ka shpenzuar më shumë për mbrojtjen e kufijve dhe ka kanalizuar fondet drejt vendeve të zakonshme të origjinës, për të provuar të ndalojë njerëzit që kërkonin një jetë të re në BE, në radhë të parë. / deutsche welle – bota.al

 

Show More

Related Articles

Back to top button