Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në ditën e dytë të vizitës së punës në Gjermani ka takuar presidentin e Republikës Federale të Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier.
Në njoftimin e Presidencës bëhet e ditur se diskutimet u fokusuan në thellimin e marrëdhënieve dypalëshe, zhvillimet aktuale në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor si dhe avancimin e integrimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare.
Presidentja Osmani shprehu vlerësimin e thellë për mbështetjen e Gjermanisë për Kosovën në procesin e lirisë dhe shtetndërtimit, por edhe në rrugën euroatlantike.
“Kosova dhe Gjermania kanë një partneritet të fortë dhe të qëndrueshëm të bazuar në vlerat e përbashkëta të demokracisë, paqes dhe progresit. Gjermania është aleate strategjike në rrugëtimin e Kosovës drejt fuqizimit dhe integrimit ndërkombëtar, ndaj presim që ta forcojmë edhe më tej këtë partneritet në vitet në vijim”, ka theksuar presidentja Osmani.