BotaLajme

BE-ja e çon Hungarinë në gjykatë për shkak të ligjit kundër ndikimit të huaj

Komisioni Evropian ka vendosur që ta dërgojë Hungarinë në Gjykatën e Drejtësisë pasi vlerëson se ligji i saj kombëtar për “mbrojtjen e sovranitetit” shkel ligjin e Bashkimit Evropian. Ky ligj synon të luftojë ndikimin e huaj.

Sipas KE-së, ky ligj themelon Zyrën për mbrojtje të sovranitetit që ka për detyrë të hetojë aktivitete specifike që thuhet se kryhen në interes të një shteti tjetër apo trupi të huaj, organizate apo personi, aktivitete që “supozohet se shkelin apo kërcënojnë sovranitetin e Hungarisë”.

Në njoftim u tha se KE-ja e kishte njoftuar në shkurt të këtij viti Hungarinë për shqetësimet rreth ligjit. Por, pasi përgjigja e Hungarisë ndaj shqetësimeve të bllokut nuk ishte e pakënaqshme, në maj Komisioni dërgoi një opinion duke përsëritur shqetësimet lidhur me shkeljen e Kartës së BE-së për të drejtat themelore, liritë themelore të tregut të brendshëm dhe legjislacionin e BE-së për mbrojtjen e të dhënave.

“Në përgjigje të këtij opinioni, Hungaria pretendoi se ligji për mbrojtjen e sovranitetit nuk e cenon ligjin e BE-së dhe shqetësimet e ngritura ishin të pabaza”, tha KE-ja.

Por, KE-ja tha se shumica e shqetësimeve që ka ngritur për këtë çështje ende nuk janë adresuar.

Më 12 dhjetor 2023, Asambleja Kombëtare hungareze miratoi ligjin për mbrojtjen e sovranitetit, që i jep fuqi Zyrës për mbrojtje të sovranitetit për të kryer hetime.

Kjo zyrë mund të hetojë “çdo aktivitet që financohet nga jashtë e që mund të ndikojë në rezultatin e zgjedhjeve, vullnetin e votuesve apo mbështet aktivitete të tilla”.

Në preambulë thuhet se ligji është miratuar në përgjigje të “sulmeve të paligjshme ndaj sovranitetit të Hungarisë nga organizata të huaja dhe individë që synojnë të mbrojnë interesat e tyre në Hungari dhe të kundërshtojnë interesat dhe rregullat hungareze”.

Ligji parasheh që të bëhen publike gjetjet e hetimeve. Po ashtu, parashihen pasoja negative për entitetet që janë subjekt i hetimit.

BE-ja dhe Budapesti në të kaluarën janë përplasur për shkak të sundimit të ligjit në Hungari dhe respektimin e të drejtave të komunitetit LGBT. /Radio Evropa e Lirë

 

Show More

Related Articles

Back to top button