Dy testime të reja janë bërë mbi cilësinë e ujit për pije në Gostivar, pasi pasditën e të premtes së javës së kaluar, ndërmarrja publike “Komunalec”, njoftoi se uji i qytetit sërisht ndalohet për pije. Ndërmarrja ishte njoftuar nga Agjencia për Ushqim dhe Veterinari, ndërsa kësaj të fundit njoftimin ua kishte bërë një laboratorë privat nga Strumica që ka bashkëpunim me ndërmarrjen komunale të qytetit. Por, rezultatet e këtij laboratori nuk përputhen me ato të Institutit për Shëndet Publik në Gostivar dhe Shkup, të cilët thonë se cilësija e ujit në Gostivar është e mirë pas ndotjes së parë. Nëse analizat e fundit dalin të mira mbi cilësinë e ujit, kryetari Valbon Limani thotë se do ti kërkojë ndërmarrje komunale, ndërprerjen e bashkëpunimit me kompaninë private.
“Laboratori i cili është i anagazhuar nga ndërmarrja, ka dalë të premten me rezultate se uji nuk është i pijshëm, mirëpo në të njejtën kohë janë marrë mostra edhe nga Qendra për Shëndet Publik dhe të njejtat janë të mira dhe tregojnë se uji është i pijshëm. Ditën e njejtë u mor edhe një mostër për manganin e cila poashtu doli se ishte në nivelin e duhur, kështu që të shtunën në mëngjes u morën edhe nga Qendra për Shëndet Publik – Gostiva dhe nga Qendra për Shëndet Publik – Shkup, dhe nëse rezultata sërisht dalin të njejta, apo se uji është i pijshëm dhe mund ta shfrytëzojnë qytetarët, atëherë do të kërkojë nga ndërmarrja publike që ta ndërpres bashkëpunimin me këtë kompaninë private dhe do të ndërmerren masa për shkak të gjithë kësaj katrahure që ndodhi me ujin në qytetin tonë”, deklaroi kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani.
I pyetur nëse ka dilema rreth saktësisë së rezultateve nga laboratori privat, kryetari Limani deklaroi se nuk dëshion të spekulojë se diçka bëhet me qëllim, por sipas tij, më me relevancë janë ato të kryera nga Instituti për Shëndet Publik.
“Unë nuk kam dilema, mirëpo personalisht mendoj se rezultatet e Qendrës për Shëndet Publik janë më relevante dhe besoj se edhe më tej ndërmarrja do të duhet të bashkëpunojë me qendra të cilat kanë më tepër relevancë. Për më tepër, nuk do doja të spekulojë se ka diçka dhe fshihet diçka pas kësaj”, deklaroi kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani.
Ndryshe, herën e parë uji në qytetin e Gostivarit ishte i papijshëm gati gjithë javën e fundit të muajit të kaluar pasi në të analizat treguan se ka prani të bakteries Esheria Koli. Herën e dytë, gjegjësisht të premten pasdite u njoftua se pos kësaj bakterie, uji ka edhe sasi të madhe të manganit. Se kur do të dalin rezultatet e analizave të fundit nuk dihet e deri atëherë, qytetarët rekomandohet të mos e përdorin ujin nga sistemi i furnzimit të ujësjellësit të qytetit.