Qeveria e Kosovës e ka hequr pjesërisht ndalesën ndaj importit të mallrave nga Serbia, pas një trysnie të vazhdueshme nga Gjermania në lidhje me CEFTA-n dhe Procesin e Berlinit, raportojnë mediat lokale të hënën.
Sipas raportimeve, ndalesa është hequr vetëm për pikëkalimin Merdare mes Kosovës dhe Serbisë.
Radio Evropa e Lirë e ka pyetur Qeverinë e Kosovës për këtë, por ende nuk ka marrë përgjigje.
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë tha në një reagim të hënën se e përshëndet “vendimin e sotëm” të Qeverisë së Kosovës për “ndryshimin e masës së sigurisë për produktet e importuara nga Serbia”.
“Për më shumë se një vit, Oda Amerikane ka përsëritur se një vendim i tillë ka pasur ndikim negativ në interesat komerciale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, por edhe ka qenë në kundërshtim me frymën e promovuar nga Marrëveshja për Tregtinë e Lirë e Evropës Qendrore (CEFTA), por edhe zotimet e ndërmarra nga Kosova në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian”, tha Oda amerikane në një njoftim për media.
Në javët e fundit, Gjermania ka këmbëngulur se ndalimi i importit të mallrave nga Serbia dëmton Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA) dhe Procesin e Berlinit, një nismë që synon të ndihmojë zhvillimin ekonomik të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe t’i afrojnë ato me Bashkimin Evropian.
Qeveria e Kosovës e kishte vendosur ndalesën ndaj importit të mallrave nga Serbia në korrik të vitit 2023 për arsye “sigurie”, pasi tre policë të Kosovës ishin arrestuar nga policia serbe. Megjithëse ata ishin liruar më vonë, vendimi për mallrat serbe kishte mbetur në fuqi.
I dërguari i posaçëm i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, tha në fillim të shtatorit se kjo ndalesë bllokon punën e CEFTA-s, dhe se, për shkak të saj, Kosova mund ta rrezikojë pjesëmarrjen në Procesin e Berlinit.
Radio Evropa e Lirë raportoi javën e kaluar se Qeveria e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti ishte në prag të heqjes së ndalesës ndaj importit të mallrave nga Serbia.