Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Europës, po nxjerr në pah kundërshtitë brenda Bashkimit Europian. Franca dhe Gjermania kanë dalë me qëndrime të kundërta sa i përket kësaj çështjeje.
Ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Jörn Rohde, tha se qeveria e tij mbështet aplikimin e Kosovës. “Mezi presim ta shohim Kosovën si pjesë të Këshillit të Europës, familje që punojnë së bashku për të promovuar të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit. Kosova e ka vendin në Këshillin e Europës”, u shpreh ambasadori Rohde.
Ndërsa ambasadori i Francës në Serbi, Pierre Cochard, foli me kritika për aplikimin e Kosovës. Sipas asaj që raportojnë mediat e Beogradit, diplomati saktësoi se ende nuk është marrë një vendim lidhur me votën e shtetit të tij. “Kandidatura për në Këshillin e Europës është një vendim i njëanshëm dhe ne nuk i mbështesim ato vendime dhe e konsiderojmë dialogun një prioritet”, tha Pierre Cochard.
Sakaq, ministrja e jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, hedh poshtë këto pretendime. “Unë kam biseduar me përfaqësues të ndryshëm të Bashkimit Evropian, ndër ata edhe me përfaqësues të Francës dhe neve na është thënë që Franca e mbështet anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës”, u shpreh Gërvalla.
Ndërkohë, Serbia vendosi të riniste fushatën e tërheqjes së njohjeve të pavarësisë së Kosovës, si kundërpërgjigje për aplikimin për anëtarësim në Këshillin e Europës. Pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare u paralajmërua se 4 shtete janë gati ta bëjnë diçka të tillë. Menjëherë erdhi dhe reagimi i Kosovës.
“Serbia në asnjë moment nuk ka pushuar së punuari për çnjohje të Kosovës nga shtete të ndryshme, madje në shtete të ndryshëm të kontinentit afrikan ka pasur oferta të kombinuara të armëve ruse, të kombinuara me vaksina ruse dhe për çudi sheqer, kjo ka qenë oferta që i ëhstë bërë disa shteteve të cilat nuk e kanë tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës”. Gërvalla konfirmoi ndër të tjera se edhe Kosova po punon për njohje të reja.