GostivarLajme

100 ditëshi i Qeverisë, gostivarasit: Herët për vlerësim, por presim ndryshim të vërtetë

Ndërsa Qeveria u lavdërua në 100 ditëshin e parë me të arriturat dhe premtimet e realizuara, qytetarët thonë se tre muaj janë pak për të dhënë një vlerësim të saktë edhe pse pritshmëritë i kanë të mëdha nga ekzekutivi i ri.

Sa u takon marrëdhënieve ndëretnike dhe ndonjë destabilizimi të paralajmëruar, banorët e Gostivarit komentojnë se partia maqedonase në pushtet duhet ta dijë se pa shqiptarët ky shtet nuk do të ekzistonte. Ata kërkojnë që partitë që udhëheqin me Qeverinë e re të respektojnë marrëveshjet për koalicionim, dhe se kjo është faza e fundit për të ndodhur ndryshimi i vërtetë.

“100 ditët nuk janë një periudhë shumë e gjatë, ata janë ende duke i mësuar zyrat nga të hynë e të dalin, dhe çdokush që jep vlerësim tani është e gabueshme. Do duhet të kalojnë dy vite, ata premtojnë se do jetë mirë por do ta shohim. Marrëdhëniet ndëretnike si i shihni? – Për shqiptarët është politikë, nuk do të bëhet ashtu siç thotë partia maqedonase në pushtet. Vijnë zgjedhjet lokale dhe patjetër ta mbajë atë tension që e mbajti `me të cilin fitoi zgjedhjet parlamentare dhe nuk besoj se do ketë ndryshime pasi proceset nuk mund të shkojnë pas, sepse pa shqiptarët Maqedonia nuk do të ekziston dhe nuk mund të ekziston”, deklaroi Idajet Elmazi, banor i Gostivarit.

“Kjo është fazë fillestare dhe unë besoj se do të jetë pozitive pasi është faza e fundit për përmirësim dhe ndryshim. Nëse tash nuk ka ndryshim, nuk do të ketë asnjëherë për nevojat e popullatës, ekonomia, etj. Çfarë konkretisht prisni të ndryshojë? – Marrëveshjet që janë bërë ndërpartiake të realizohen dhe duhet ta dimë se kjo është plagë e vjetër dhe nuk shërohet shpejtë për shkak të sistemit partiak, prandaj duhet kohë për përmirësim dhe ndryshim. Njerëzit mbeten besnik se diçka do të ndryshojë, kjo është faza e fundit ose ekzistencë ose shkatërrim”, deklaron Azir Tahiri, një banor tjetër i Gostivarit.

Grup-moshat e reja presin nga Qeveria e re që ajo të eliminojë procedurat buroktartike dhe të mos ndodh sikurse deri më tani të telefonohet një mik për të kryer punë. Poashtu, kërkojnë që librezës partiake ti vijë fundi dhe gjatë konkurseve për punësim të ketë drejtësi dhe meritokraci.

“100 ditë janë pak për të parë ndonjë impakt pak më të madh. Por, diçka që gjithmonë më ka penguar dhe shpresoj ta shoh si ndryshim në këtë Qeveri është se të kemi institucione ku nuk do të duhet të njohim dikë për të kryer punë, por thjeshtë do të mund të shkojmë si qytetarë dhe të kryejmë punë, pasi deri më tani praktika na ka treguar se pa mos pasur dikë që njeh është dashur të presim me orë, javë apo me muaj të tërë varësisht prej procedurës për të kryer punë. Shpresoj që çështja organizative që nuk ka të bëjë me financa milionëshe, mund të rregullohet vetëm nëse ekziston vullneti. Pastaj, normalisht të ketë sa më shumë drejtësi në aspektin e punësimeve pasi unë mendoj se një ndër arsyet kryesore që të rinjtë kanë ikur nga vendi, është mungesa e drejtësisë dhe mungesa e punësimeve sipas meritokracisë dhe kjo ka ndikuar që ata ta ndjejnë veten si të shtypur dhe ata që nuk kanë dashur nëpërmes partive politike të punësohen, kanë vendosur që të ikin. Mendoj se kjo do të kishte kontribuar shumë që ata që janë këtu do vazhdojnë të japin kontributin e tyre në vendin ku kanë lindur. Pas një periudhe shpresojmë të shohim progres, pasi 100 ditë janë shumë pak për të pasur ndonjë ndikim më të madh”, deklaron Arlind Musliu, një i ri nga Gostivari.

Opozita akuzoi pushtetin se në 100 ditët e para ka ofruar vetëm arsyetime në vend të zgjidhjeve, izolim në vend të integrimit dhe shoqëri në të cilën dominon pasiguria. Edhe pushteti akuzoi opozitë e tanishme në 100 ditëshin e parë mbi gjendjen, siç ata thanë se kanë gjetu institucionet që trashëgoi nga pushteti i kaluar.

Ndryshe, Qeveria u zgjodh më 23 qershor, pas zgjedhjeve të mbajtura më 8 maj. Ajo përbëhet nga tre partnerë koalicioni: VMRO-DPMNE, VLEN dhe ZNAM.

Show More

Related Articles

Back to top button