Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka hedhur në llogarinë e Korporatës Elektroenergjetike të Shqipërisë fondin me vlerë 160 milionë euro për të përballuar blerjet e energjisë për muajt e verës dhe shtatorin.
Burime zyrtare për Euronews Albania thonë se KESH nuk kishte likuiduar ende faturat për energjinë e blerë në qershor dhe se vonesat në kalimin e fondeve po rrezikonin furnizimin me energji të vendit.
Deri në fund të majit, Korporata e ka siguruar me fondet e veta energjinë elektrike, faturë e cila i ka kushtuar 145 milionë euro.
Me këto shpenzime KESH pret që të mbyllë një vit financiar të vështirë me 65 milion euro humbje.
Një vit më para korporata doli me fitim si rezultat i shitjes së energjisë gjatë verës, rezerva që i përdori këtë vit për importe pas vendosjes së kësaj detyre nga qeveria për shkak të situatës së emergjencës në energji.
Fondi pritet të jetë i mjaftueshëm për muajt e mbetur, ndërsa vjeshta dhe dimri parashikohet që furnizimi me energji të përballohet me prodhimin vendas.
Sot çmimet e energjisë arritën 462 euro për megavat orë, duke u ulur me 10 euro krahasuar me një ditë më parë, pas rikthimit në funksion të linjës të transmetimit të gazit North Stream.
Energjia vetëm për dy ditët e fundjavës i ka kushtuar KESH 1.3 milionë euro. /Euronews Albania/