Të dhënat e fundit të Bankës Popullore tregojnë se në tremujorin e tretë 2024 ato janë shtrenjtuar për tetë për qind. Gjithashtu për shkak se vlera e parasë po bie, qytetarët po blejnë apartamente sepse mendojnë se ai është një investim i sigurt. Në të njëjtën kohë, ekziston kërkesa e madhe për dhënien e banesave me qira
Nuk kanë të ndalur shtrenjtimet e banesave në Shkup, kryeqendrën e Maqedonisë së Veriut. Të dhënat e fundit të Bankës Popullore tregojnë se në tremujorin e tretë apo në periudhën korrik-shtator 2024 ato janë shtrenjtuar për tetë për qind. Që nga fillimi i vitit nuk ka reshtur shtrenjtimi i patundshmërive. Në tremujorin e parë shënohet shtrenjtim prej 4.6 për qind, ndërsa në tremujorin e dytë të këtij viti, banesat janë shtrenjtuar me 11.5 për qind.
Njëherësh çmimi për metër katror të banesave në Shkup ndjek trendin e rritjes së çmimeve të banesave në qytetet më të mëdha në rajon. Çmimet e apartamenteve në rajon u rritën për më shumë se 30 për qind në një vit, ndërsa në Shkup metri katror arriti në 1300 deri 3000 euro për banesat e reja.
Gjithashtu për shkak se vlera e parasë po bie, qytetarët po blejnë apartamente sepse mendojnë se ai është një investim i sigurt. Në të njëjtën kohë, ekziston kërkesa e madhe për dhënien e banesave me qira, ndërsa edhe qytetarët nga jashtë Shkupit janë blerësit kryesor të apartamente në kryeqendrën e vendit. Sipas ekspertëve të ndërtimit, kjo rritje e çmimeve të banesave nuk vjen aq shumë nga rritja e çmimeve të materialeve të ndërtimit dhe fuqisë punëtore, por nga kërkesa e lartë edhe për të dhënë banesat me qira.
Njohësit e tregut të patundshmërive besojnë se pas pandemisë me koronavirus ka pasur një rritje të kërkesës, e cila së bashku me pasigurinë e luftës në Ukrainë dhe rritjen e çmimeve të materialeve, veçanërisht të hekurit, bëri që çmimet të ngriheshin në qiell. Pritet që në vitin e ardhshëm tregu i pasurive të paluajtshme të qetësohet. Çmimet janë rritur edhe nga inflacioni, mungesa e punonjësve si dhe rritja e shërbimeve komunale.
Shtrenjtimi filloi në fundi e vitit 2021, me luhatje të caktuara në tre vitet e fundit. Edhe pse kërkesa për apartamente në qendrat urbane në Shkup dhe gjetkë nuk ulet, të dhënat tregojnë se në tregun e pasurive të paluajtshme ka një numër të madh apartamentesh të pa shitura. Megjithatë, dhënia e lejeve të ndërtimit vazhdon të rritet, gjë që tregon se projektet e reja të banimit janë në zhvillim e sipër ose do të nisin. Të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikave tregojnë se në periudhën 2020-2023 janë dhënë miratimet për ndërtimin e 33.023 banesave. Prej tyre, 16.341 ndodhen në Shkup. Në të njëjtën periudhë janë përfunduar gjithsej 16.337 banesa, prej të cilave 6.773 banesa në Shkup.
Ndërtimtarët presin që çmimet të stabilizohen, por jo të kthehen në nivelet e para krizës. “Ai stabilizim i çmimeve do të reflektojë kostot reale, fitimet e kompanive, por do të reflektojë edhe shpërndarjen ndërmjet kërkesës dhe ofertës. Pra, në vitin 2025 presim një stabilizim të një farë çmimi, i cili për dallim nga çmimi para krizës do të jetë 30 deri në 40 për qind më i lartë në komunat me aktivitet më të madh transaksionesh”, thonë nga Oda e Ndërtimtarisë. Njëherësh, përveç faktit se ndërtimet masive po zhvillohen jo vetëm në Shkup, por edhe në të gjithë vendin dhe investitorët pohojnë se qytetarët janë në kërkim të banesës plus, të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikës nga regjistrimi i popullsisë në vitin 2021 treguan se në vend ka gjithsej 839.174 apartamente, nga të çilat 531.987 janë të banuara, që do të thotë se 307.187 banesa mbeten të pabanuara, që është gati një e treta e numrit total të apartamenteve në vend. \koha.mk\